Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Cyrih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me drejtues dhe përfaqësues të lartë të disa kompanive ndërkombëtare të teknologjisë dhe sektorëve të tjerë, përfshirë Belimo, Migros, Bühler, PostFinance, Galenika, Xebia dhe Allianz.
Gjatë këtyre takimeve, kryeministri ka prezantuar zhvillimet ekonomike dhe arritjet demokratike të Kosovës, duke theksuar përparimet në sektorin e teknologjisë dhe infrastrukturës dixhitale të vendit, shkruan Gazeta Enigma.
Kurti gjithashtu ka përmendur marrëveshjen e fundit të Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra, e cila pritet të lehtësojë qasjen e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.
Ai nënvizoi përparimet në sektorin e teknologjisë, ku mbi 2000 kompani kosovare tashmë eksportojnë shërbime jashtë vendit, si dhe shtrirjen e brezit të gjerë të internetit dhe futjen e teknologjisë 5G në Kosovë.
Shërbimi elektronik e-Kosova, i cili aktualisht ofron mbi 200 shërbime për qytetarët, është një tjetër shembull i avancimit teknologjik që u prezantua.
Kryeministri bëri një thirrje të qartë për investime, duke ftuar kompanitë të bëhen pjesë e ekosistemit zhvillimor të Kosovës dhe të përfitojnë nga mjedisi i favorshëm për biznes që ofron vendi./GazetaEnigma/