BE: Pranimi i draftstatutit për Asociacionin nga Kosova është i qartë

BE: Pranimi i draftstatutit për Asociacionin nga Kosova është i qartë

Bashkimi Evropian i ka rikujtuar Kosovës se draftstatuti i Asociacionit, aktualisht i refuzuar, u miratua në parim kur u prezantua. Zyrtarët e BE-së, në një përgjigje për KOHËN, kanë bërë thirrje për formimin e Asociacionit pa vonesa të mëtejshme, duke theksuar se është koha për veprime konkrete.

Njëkohësisht, Serbisë i është kërkuar të përmbushë detyrimet e saj në kuadër të këtij procesi. Deklarata e kryeministrit Albin Kurti, i cili shprehu gatishmërinë për ta pranuar draftstatutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse Serbia firmos Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për zbatimin e saj, është interpretuar në Bruksel si një pranim i dokumentit nga ana e Kosovës. Kjo situatë krijon një dinamikë të re në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, me BE-në që monitoron nga afër zhvillimet.

Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së, ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet mbi këtë dokument. Sipas saj, propozimi evropian është bërë në përpjekje për të ecur përpara me procesin e normalizimit. 

“Sipas marrëveshjeve përkatëse të dialogut të 2013-s dhe 2015-s, Statuti për themelimin e ASM-së (Asociacionit v.j.) duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog. Kjo do të thotë se çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së, dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e 2013-s dhe 2015-s. Në tetor 2023, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi një projektstatut evropian për formimin e Asociacionit bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, gjithashtu si kornizë ligjore e Kosovës, të cilën të dyja palët e kanë pranuar në parim”, ka thënë Massrali për KOHËN.

Bashkimi Evropian edhe të enjten përsëriti thirrjen që Kosova pa vonesa të mëtejshme ta themelojë Asociacionin në përputhje me draftstatutin e BE-së, derisa tregoi edhe detyrimet e Serbisë.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Draftstatutin e BE-së pa vonesa të mëtejshme. BE-ja dëshiron gjithashtu të rikujtojë se Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën, që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në Draftstatutin Evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga lehtësuesi i BE-së”, ka thënë zëdhënësja Massrali.

Related Articles