Që prej fillimit të vitit, kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë vetëm në një seancë plenare të Kuvendit nga gjithsej 31. Prezent ka qenë kryesisht në seancat e veçanta apo solemne. Monitorues të punës së Kuvendit thonë se mungesa e kryeministrit përbën ikje nga llogaridhënia para qytetarëve dhe se me këtë ia ka pamundësuar legjislativit ta ushtrojë rolin e tij kushtetues.
Nga 31 seanca plenare e të jashtëzakonshme që Kuvendi i mbajti nga fillimi i këtij viti, kryeministri Albin Kurti mori pjesë vetëm në një prej tyre.
Si pasojë e mungesës së tij, një numër deputetësh kanë mbetur pa përgjigje në pyetjet parlamentare të grumbulluara edhe para sesionit vjeshtor.
“Kur ta gjeni kryeministrin e shtroj pyetjen”, qe shprehur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Në Kuvend kryeministri shkoi kryesisht kur pati seanca të veçanta apo solemne.
Ai mungoi në kohën kur diskutimet bëhen jashtë rendit të ditës, në pjesën e seancës kur ligjvënësit shtrojnë pyetjet për anëtarët e kabinetit qeveritar, e në pikat e rendit të ditës kur kërkohen sqarime për punët e Ekzekutivit.
Kushtetuta thotë se “Qeveria, për punën e vet, i përgjigjet Kuvendit të Kosovës”. E, njohësit e punës së Kuvendit thonë se Kuvendi nuk ka mundur ta ushtrojë këtë detyrë, në mungesë të kryeministrit e edhe të ministrave.
Naim Jakaj, hulumtues në IKD, ka thënë për Koha.net se 11 muaj kryeministri e ka shpërfillur dhe injoruar tërësisht Kuvendin.
“Kuvendi është injoruar në mënyrë të hapur nga ana e kryeministrit dhe nga ana e Qeverisë në përgjithësi. Domethënë, ka pasur një injorim total në raport me mbikëqyrjen parlamentare për të cilën sipas nenit 97 të Kushtetutës së Kosovës, Qeveria i përgjigjet politikisht por edhe kryeministri dhe ministrat i përgjigjen individualisht përveç kolektivisht Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Jakaj.
Edhe Viona Bunjaku, që është hulumtuese në Lëvizjen FOL, ka deklaruar se kryeministri bashkë me ministrat e tij po i ikën llogaridhënies para Kuvendit e qytetarëve.
“Kuvendi nuk është duke mundur ta ushtrojë kontrollin, mbikëqyrjen e Qeverisë, pasi që jemi duke parë që ka një dështim total të kësaj qeverie që të jetë transparente dhe llogaridhënëse edhe ndaj publikut, por mbi të gjitha edhe ndaj Kuvendit që është i thirrur ta mbajë përgjegjës edhe kryeministrin”, ka thënë ajo.
Në Qeveri, nuk kanë folur për arsyet e mungesave të kryeministrit Kurti.
E, nga shpërfillja e Kuvendit prej anës së Ekzekutivit, Naim Jakaj, ka thënë se pësojnë qytetarët që kanë interes të dinë sidomos për çështjet që ata i shtrojnë te Qeveria përmes të zgjedhurve të tyre.
“Dy pika të rëndësishme që vendosen në fillim të seancës janë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare dhe këto janë lënë me qëllimin që të ngrihen çështjet që i preokupojnë qytetarët, veçanërisht te pyetjet parlamentare, dhe në rast se kryeministri dhe ministrat e linjës nuk përgjigjen në pyetjet të cilat ngritën kryesisht nga ankesat që vijnë nga qytetarët atëherë kjo i bie që kryeministri nuk e kryen edhe rolin e llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Jakaj.
Në Kuvend nuk kanë dhënë informacione se sa pyetjeve parlamentare kryeministri nuk u ka kthyer përgjigje këtë vit.
Gjatë vitit, kryeministri Kurti mori pjesë vetëm në seancën në maj, e thirrur dy muaj më herët nga AAK-ja për të debatuar për punën trevjeçare të Qeverisë, por i cili nuk u zhvillua për shkak se opozita e bojkotoi atë.