Cilat janë raportet e sekretarit të ardhshëm amerikan me Kosovën?

Cilat janë raportet e sekretarit të ardhshëm amerikan me Kosovën?

Marco Rubio është senatori që raportohet të jetë zgjedhur nga presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump, për postin e rëndësishëm të sekretarit të Shtetit. Ai është pjesë e politikës amerikane që nga viti 2010 e në pak raste mund të gjenden lidhje të tij me Kosovën.

Më 2 shkurt 2021 është postimi i tij i vetëm në Twitter, e në të cilin përmendet Kosova. Bëhet fjalë për kohën kur Kosova mori njohjen nga Izraeli, me ndërmjetësim të presidencës së parë të Trumpit.

“Senatori Rubio përshëndet Izraelin dhe Kosovën për themelimin e raporteve diplomatike. Ky është hap i rëndësishëm për të dyja shtetet si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, pati shkruar ai.

Ndërsa në një fjalim të publikuar në uebfaqen e tij zyrtare, më 13 shtator 2011, Rubio duke folur për rolin e Amerikës në botë pati përmendur edhe ndërhyrjen ushtarake amerikane në Ballkan. 

“Forcat e armatosura amerikane kanë qenë një nga forcat më të mëdha të botës në shekullin e shkuar. Ato e ndalën nazizmin dhe komunizmin dhe djaj të tjerë si spastrimin etnik nga serbët. Ato ndihmuan lindjen e demokracive nga Gjermania deri në Irak. Kanë bërë ndihma e kanë kryer misione të panumërta për shtetin tonë”, ishte shprehur ai.

Ndërkohë, në vitin 2018, Rubio ka pasur takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Siç bëhej e ditur në një komunikatë për media nga Presidenca e Kosovës, Thaçi dhe atëkohë senatori republikan kishin biseduar “për transformimin e FSK-së dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, raporton Koha.

“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, ishte shprehur Thaçi.

Posti i sekretarit të Shtetit në SHBA është një nga më të rëndësishmit. Si zyrtar i lartë i kabinetit të presidentit, sekretari ka përgjegjësi për kryerjen e detyrave në politikën e jashtme të SHBA-së dhe ta këshillojë presidentin në çështjet ndërkombëtare.

Siç shkruajnë mediat prestigjioze amerikane, Rubio është emri i preferuar i Trumpit, por se kjo mund të ndryshojë në minutat e fundit. Ndër prioritetet për punën e tij të mundshme janë përmendur kryesisht Kina, lufta në Ukrainë dhe ajo në Gaza.

Related Articles