“Guri i ranë peshon edhe n’Kosovë, edhe n’Shqipëri”, si i zhvilluan karrierat personalitetet e ndryshme në dy shtetet

“Guri i ranë peshon edhe n’Kosovë, edhe n’Shqipëri”, si i zhvilluan karrierat personalitetet e ndryshme në dy shtetet

“Një komb, një gjuhë, një atdhe”. Këto janë fjalë e themeluesit të shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali. Kjo shprehje, që me siguri do i mbijetojë shekujve, simbolizon unitetin kombëtarë të shqiptarëve në gjuhë, identitet dhe simbole, shkruan Gazeta Enigma.

Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, kanë gjuhën shqipe, kulturën, historinë e traditën shqiptare të përbashkët.

Mu për këtë arsye, zhvillimi i karrierës si dikush nga Kosova në Shqipëri, e si dikush nga Shqipëria në Kosovë, ka qenë një proces shumë i lehtë, pa qasje dalluese.

Për nder të përvjetorit të 112-të të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, Gazeta Enigma ka bërë një përmbledhje të disa personaliteteve nga fusha të ndryshme, të cilët kanë lënë gjurmë në shtetet fqinje, duke filluar me vetë veprimtarin e shquar që kontribuoi në themelimin e shtetit shqiptar, Isa Boletini.

Isa Boletini luajti një rol të rëndësishëm në ngjarjet që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Si një udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe prijës i kryengritjeve në Kosovë, ai kontribuoi në mënyrë aktive në mbrojtjen dhe afirmimin e çështjes shqiptare.

Roli i tij kryesor gjatë 1912:

1. Përfshirja në Kryengritjet Shqiptare (1910-1912) Isa Boletini ishte ndër prijësit kryesorë të kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane, duke luftuar për të siguruar autonominë dhe të drejtat e shqiptarëve. Ai drejtoi forcat shqiptare në disa beteja të rëndësishme.

2. Mbështetja e shpalljes së pavarësisë: Në nëntor të vitit 1912, Isa Boletini dhe luftëtarët e tij mbërritën në Vlorë për të mbështetur Ismail Qemalin dhe Kuvendin Kombëtar. Ai siguroi mbrojtjen e delegatëve të pavarësisë dhe kontribuoi në sigurimin e rendit në ditët kritike rreth shpalljes.

3. Simbol i unitetit dhe i mbrojtjes: Prania e tij në Vlorë ishte simbolike, duke treguar që Kosova ishte pjesë e pandarë e aspiratave kombëtare shqiptare. Fjalët e tij të njohura “Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia” pasqyrojnë përkushtimin e tij ndaj kombit.

Isa Boletini u bë një figurë ikonike e rezistencës shqiptare dhe e luftës për liri, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.

Akterë nga Shqipëria në Qeverinë e Kosovës

Dejona Milahi

Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, e njohur së fundmi me nofkën “masha e kontrollit” në këtë parti, është me prejardhje nga Shqipëria.

Mihali gjatë këtij viti është bërë kryetemë në politikën kosovare, me kontrollin e saj të tepruar në çdo sferë të vendimeve që merr Qeveria Kurti.

Mesazhe të ndryshme janë publikuar nga bisedat e saj me ministra të Qeverisë Kurti e kryshefë të Ndërmarrjeve të ndryshme, që tregojnë se pothuajse prapa çdo vendimi, qëndron aprovimi i Dejona Mihalit.

Shumë njerëz, Mihalin e cilësojnë si “numrin 2” në Lëvizjen Vetëvendosje, pas kryeministrit Albin Kurti.

Akterë nga Kosova në Qeverinë e Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po shkon drejt përfundimit të mandatit të tretë në këtë pozitë. Përveç politikave të tij reformuese që tashmë Shqipërinë e kanë bërë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Rama njihet edhe për besimin ndaj politikanëve nga Kosova që të udhëheqin ministritë e tij. Shembull për këtë janë Gent Cakaj dhe Besa Shahini.

Besa Shahini

Besa Shahini është e para politikane nga Kosova që u emërua si Ministre e Arsimit në Shqipëri. Ajo shërbeu në këtë postë gjatë Qeverisë Rama 2, në periudhën 2019-2020.

Shahini fillimisht u emërua Zëvendësministre e Arsimit në vitin 2018, ndërkohë që në janar të 2019-s, pas një riorganizimi të kabinetit, ajo u emërua Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Gjatë mandatit të saj, Shahini u përball me sfida të shumta, përfshirë protestat studentore dhe ndryshimet në sistemin arsimor.

Gent Cakaj

Gent Cakaj është një politikan dhe diplomat shqiptar nga Kosova, i njohur për shërbimin e tij si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë gjatë vitit 2019. Ai është një nga figurat më të reja dhe më të arsimuara në politikën shqiptare.

Në vitin 2018, Gent Cakaj u emërua Zëvendësministër në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, me fokus në integrimin evropian.

Në janar të vitit që pasoi, kryeministri Edi Rama e emëroi Cakajn Ministër të Jashtëm në detyrë. Ai mbajti këtë post deri në fund të vitit 2020.

Gjatë mandatit të tij, Cakaj u angazhua në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare dhe rajonale, duke përfshirë integrimin evropian dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Çakaj po ashtu ishte i përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Futbollistë nga Kosova në Kombëtaren e Shqipërisë

Sporti është gjithashtu një fushë ku lojtarët nga Kosova e Shqipëria nuk e kanë pasur problem të luajnë në vendet e njëra tjetrës.

Tash e disa vite, disa lojtarë nga Kosova luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë në futboll.

Mirlind Daku

Me prejardhje nga Gjilani, Mirlind Daku është një super yll në fushën e sulmit, i cili mori ftesë nga Federata e Futbollit Shqiptar.

Daku luajti për Shqipërinë edhe në Kampionatin Evropian të këtij viti, në Gjermani.

26-vjeçari po ashtu ka luajtur edhe për Kosovën, në vitet 2020 dhe 2021, para se të kalonte tek kombëtarja shqiptare.

Arbër Hoxha

Edhe Hoxha, njëjtë si Daku, pasi përfaqësoi Kosovën, kaloi në përfaqësim të Shqipërisë.

Ai gjithashtu luajti për Shqipërinë në disa ndeshje të EURO 2024, e që ishte një hap shumë i madh për karrierën e tij.

Etrit Berisha

Shqipëria ia ka besuar mbrojtjen e portës një portierit nga Kosova, Etrit Berishës.

I lindur në Prishtinë, Berisha ka treguar aftësi të shkëlqyera, duke u bërë një nga portierët më të respektuar nga tifozët shqiptarë.

Ai ka luajtur mbi 70 ndeshje me Shqipërinë, duke qenë një figurë kyçe në kualifikimet për turnetë ndërkombëtare si EURO 2016 dhe EURO 2024.

Në Kombëtaren e Shqipërisë, Berisha e gëzon edhe epitetin e kapitenit të skuadrës.

Ardian Ismajli

Edhe Ardian Ismajli nga Kosova ka zgjedhur që ta përfaqësojë Shqipërinë në futboll.

Mbrojtësi 28-vjeçar u paraqit në gjashtë ndeshje për Shqipërinë, në EURO 2024.

Futbollistë me origjinë kosovare që luajtën për Shqipërinë: 

Lorik Cana – Kapiten legjendar i Kombëtares Shqiptare, me origjinë nga Gjakova. 

Alban Meha – Ish-mesfushor i Kombëtares Shqiptare, me origjinë nga Peja. 

Besart Berisha – Sulmues nga Kosova që për një kohë të shkurtër luajti për Shqipërinë. 

Shkëlzen Gashi – Sulmues me origjinë kosovare që ka përfaqësuar Shqipërinë në disa ndeshje ndërkombëtare. 

Armando Sadiku – Ndërsa i lindur në Shqipëri, ai ka rrënjë kosovare dhe ka kontribuar në sukseset e Kombëtares Shqiptare.

XHUDISTET E KOSOVËS, EDHE TË SHQIPËRISË

Xhudistet nga Kosova që ia sollën Kosovës tri Medalje të Arta nga Lojërat Olimpike – Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova – janë shpërblyer edhe nga shteti shqiptar për këtë përfaqësim dinjitoz.

Me fitoret e tyre u krenuan shqiptarët anembanë, ndërkohë që kryeministri Edi Rama i gradoi Majlinda Kelmendin, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën, si kolonele në Forcat e Armatosura Shqiptare.

BOTA E SHOUBIZIT MES KOSOVËS DHE SHQIPËRISË

Me gjithëpërfshirje në botën e argëtimit, muzikës, artit e kinemasë, shqiptarët nga Kosova e Shqipëria nuk e lënë keq.

Shqipëria në Eurovizion, me përfaqësues nga Kosova

Ani se Kosova ende nuk është pjesë e Eurovizionit, kjo nuk i ka ndalur këngëtarët nga Kosova që të performojnë në atë skenë, falë përqafimit të tyre nga ana e Shqipërisë.

Shqipëria disa herë është përfaqësuar në Eurovizion me këngëtarë nga Kosova.

Rona Nishliu, me prejardhje nga Kosova, e përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Suus” në Eurovizionin e vitit 2012, duke e renditur Shqipërin të pestën mes gjitha shteteve, arritje kjo më e larta e Shqipërisë në historinë e Eurovizionit.

Albina dhe Familja Kelmendi nga Peja, gjithashtu kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizionin e parafundit, me këngën “Duje”.

Ndërkohë që nga Kosova, edhe këngëtarja Lindita Halimi përfaqësoi ngjyrat e Flamurit Kuq e Zi në Eurovizionin e vitit 2017, me këngën “World”.

Performanca të këngëtarëve në Kosovë e Shqipëri

Këngëtarë të ndryshëm nga Kosova e Shqipëria performojnë në koncerte të shumta në vendet e njëra tjetrës, sikur të mos kishte kufijë shtetërorë.

Noizy, Xhensila, Alban Skenderaj, Ronala Hajati, Elvana Gjata, Luiz Ejlli e Stresi, janë vetëm disa nga emrat e njohur që shpesh mbajnë koncerte në çdo qytet të Kosovës.

Ndërkohë, nga Kosova, këngëtarë si Kida, Dafina Zeqiri, Tayna, Dhurata Dora, Ledri, Butrint Imeri, Yll Limani e Capuital T, janë disa nga këngëtrët që mbajnë koncerte në Shqipëri, njëjtë sikur të ishin në Kosovë.

FILMI

Në fushën e filmit, disa figura nga Shqipëria që kanë lidhje të ngushta me Kosovën ose janë të angazhuar në projekte të përbashkëta përfshijnë: 

Regjisorë dhe Producentë 

Bujar Alimani – Regjisor shqiptar që ka bashkëpunuar me artistë kosovarë në projekte filmike me tematikë shoqërore dhe historike. 

Gentian Koçi – Regjisor dhe skenarist shqiptar që ka realizuar filma me ndikim në rajon dhe ka marrë pjesë në festivale në Kosovë. 

Gjergj Xhuvani – I ndjeri regjisor shqiptar ka pasur ndikim të madh në kinematografinë shqiptare dhe kosovare përmes bashkëpunimeve dhe pjesëmarrjeve në festivale ndërkombëtare. 

Aktorë 

Tinka Kurti – Aktore legjendare shqiptare që ka performuar në projekte të përbashkëta ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. 

Nik Xhelilaj – Aktor i talentuar shqiptar, i cili ka marrë pjesë në filma dhe seriale të prodhuara pjesërisht në Kosovë. 

Eliza Dushku – Aktore shqiptaro-amerikane që ka pasur ndikim në promovimin e kulturës shqiptare, përfshirë edhe Kosovën. 

Projekte dhe Bashkëpunime 

Filmi “Zana” – Një bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, i cili trajton tema të rëndësishme sociale dhe është prezantuar në festivale ndërkombëtare. 

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë (PriFest) – Një platformë e rëndësishme që sjell së bashku artistë nga Shqipëria dhe Kosova.

Edhe filma të tjerë si “2 gisht mjalë dhe “Në kuadër të Dashurisë”, kanë bërë premierën e tyre në kinematë kosovare, gjë që tregon lidhjen e fortë në art mes dy shteteve.

Shqiptarët nga Kosova e Shqipëria të bashkuar edhe për Big Brother VIP

Edhe spektakli i shumë shikuar në trojet shqiptare, Big Brother VIP, tregon një lidhshmëri të çimentuar mes dy shteteve.

Personalitet nga Kosova, si Nita Latifi, Vesa Smolica, Arta Kabashi, Meriton Mjekiqi, Fifi, Dj Dagz, Dj PM e Beatrix Ramosaj, janë ndër emrat e shumtë që kanë marrë pjesë në Big Brother VIP të Shqipërisë.

Ndërkohë që nga Shqipëria, yje si Stresi, Vivien, Rovena Stefa, Alba Vukaj, Shqipe Hysenaj, Sara Komani, Rrezart Veshaj e Mevlani, kanë marrë ose po marrin pjesë si banorë në Big Brother VIP Kosova.

Lidhje që nuk do të ndahet

Ky përvjetor i Pavarësisë së Shqipërisë i gjen shqiptarët më të bashkuar se kurrë.

Përmes mekanizmave të ndryshëm, lidhja shqiptaro-shqiptare duke se do t’u mbijetojë edhe shekujve të ardhshëm, ndërkohë se a do i gjejë e ardhmja shqiptarët me një, dy apo tre shtete, mbetet të shihet. /GAZETA ENIGMA

Related Articles