Liverpooli nxjerr “hak” ndaj Real Madridit, vazhdon ecurinë perfekte në Champions

Liverpooli nxjerr “hak” ndaj Real Madridit, vazhdon ecurinë perfekte në Champions

Liverpooli po tregohet frikshëm në Ligën e Kampionëve.

Pas pesë xhirove, “Reds” janë skuadra e vetme me të gjitha fitore, duke i prirë renditjes tabelare.

Sonte në “Anfield”, të zgjedhurit e Arne Slot triumfuan pastër 2:0 ndaj Real Madridit.

Pjesa e parë u mbyll pa gola të shënuar, por me disa raste të mira për Liverpoolin që në përgjithësi e administroi ndeshjen.

E kjo kulmoi me gol në minutën e 52-të, kur Mac Allister realizoi për 1:0.

Nëntë minuta më vonë, Vazquez e fitoi një penallti për Real Madridin, por Kylian Mbappe dështoi të shënonte, duke e vulosur kështu një natë të keqe për të.

Kelleher arriti që ta lexonte goditjen e francezit dhe me sukses e priti, duke e ruajtur epërsinë e ekipit të tij.

E në minutën e 70-të, Salah e “kopjoi” Mbappen, duke e humbur edhe ai penalltinë, por egjiptiani gjuajti komplet jashtë portës.

Në minutën e 77-të, Cody Gakpo shënoi bukur me kokë, pas harkimit nga Andy Robertson për ta vulosur fatin e këtij takimi.

Me këtë fitore, Liverpooli tani prin në renditjen e përgjithshme të Ligës së Kampionëve me 15 pikë nga pesë ndeshje.

Në anën tjetër, Real Madridi bie në pozitën e 24-të me gjashtë pikë pas pesë ndeshjeve dhe e rrezikon seriozisht moskualifikimin tutje, kur kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u zhvilluar.

Related Articles