Shqyrtimi i parë për Projektligjin e ndryshuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, është miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës, me 60 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Lidhur me këtë Projektligj, ka folur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Qeveria nuk ka përpiluar një ligj të ri, por vetëm janë adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Duhet theksuar se një ndër çështjet më të rëndësishme është konfirmimi i kushtetueshmërisë së konfiskimit civil”, tha Haxhiu.
Pas kësaj reagoi deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili e quajti këtë dokument “atak kushtetues” të rolit të Kuvendit të Kosovës.
“E dini që LDK-ja edhe në rastin paraprak e ka vënë votën pro themelimit te Byros, për çka ne kishim dyshimet tona për frymën e kushtetueshmërisë së atij dokumenti. E kishim edhe një rekomandim të Komisionit të Venecias, por për fatin e keq, Gjykata Kushtetuese vlerësoi që nuk janë adresuar të gjitha çështjet për të ruajtur sistemin kushtetues institucional që e kemi ndërtuar në Kosovë Tani ne kemi një draft tjetër, dhe themi përsëri që ky dokument është me elemente kundër kushtetuese. Pse? E para ka të bëjë me drejtorin e këtij mekanizmi. Përkundër se Komisioni i Venecias ka thënë se është mirë të mendohet për një udhëheqje kolegjiale, jo nga një person i vetëm, megjithatë qeveria insiston që të jetë një person i vetëm. Pra vijnë kandidaturat këtu në Kuvend, dhe nëse dështon atëherë shpallet konkursi për herën e dytë, por çka ndodh në herën e tretë, komisioni zgjedh kandidatin me më së shumti pikë si drejtor të përgjithshëm”, tha Selmanaj.
“Pra nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedh drejtorin e Byros, atëherë komisioni atje e zgjedh vetë. Pra ky është atak kushtetues i rolit të Kuvendit të Kosovës. E dyta është përbërja e Komisionit Mbikëqyrës. Kush e përbën? Anëtarët që i zgjedh Kuvendi i Kosovës”, shtoi ai.