Ambasada amerikane në Serbi nëpërmjet një komunikate ka kërkuar drejtësi për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.
Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve serbe të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti, duke rikujtuar edhe premtimin e dhënë nga ana e tyre.
“Dhënia e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjen e tyre dhe mbajtja e përgjegjësisë për ata që kanë kryer dhe mbuluar vrasjet e tyre mbetet një përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara përsëri u bën thirrje autoriteteve serbe, të cilët kanë premtuar të ndihmojnë në këtë rast ndër vite, për një hetim të plotë. Kjo çështje, dhe shumë të tjera, ilustrojnë nevojën urgjente që Serbia të zgjidhë hetimet e pazgjidhura të krimeve të luftës dhe të përqendrohet në forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Serbi”, thuhet në komunikatë.
Mes tjerash, ambasada amerikane në Serbi thotë se nuk mund dhe nuk do ta harrojnë krimin e bërë 22 vjet më parë.
“Kanë kaluar njëzet e dy vjet që kur tre amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u zhdukën ndërsa ishin në paraburgim të policisë speciale serbe. Trupat e tyre u zbuluan më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë lindore, nën kontrollin e një njësie të udhëhequr nga Goran Radosavljeviq – Guri. Vëllezërit Bytyqi u ekzekutuan, u qëlluan në kokë me duart e lidhura pas shpine, megjithatë pas më shumë se dy dekadash nuk ka pasur një hetim të plotë. Ne nuk mund dhe nuk do ta harrojmë këtë krim”.
Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.
Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.
Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç’rast edhe u arrestuan menjëherë.Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.
Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.
Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo. Duart e tyre ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.