Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se gjykatësja Ekaterina Trendafilova është emëruar edhe për një mandat në krye të Gjykatës Speciale, shkruan Enigma.
Mandati i saj do të jetë katërvjeçar, duke filluar nga data 16 dhjetor, meqë mandati aktual i skadon të dielën.
“Kryetare Trendafilova u shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë gjykatësve të DHSK-së, Administratores dhe gjithë personelit të Gjykatës, që punojnë në mënyrë të palodhur për të përmbushur mandatin e DHSK-së me profesionalizëm dhe përkushtim të palëkundur”, thuhet tutje në njoftimin e Speciales.
Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.