Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në Facebook mbi vdekjen tragjike të një fëmije 1-vjeçar, i cili ishte dërguar në spital me gjendje të rënduar shëndetësore, raporton Enigma.
Në postim thuhet se 1-vjeçari është dërguar në Spitalin e Gjakovës mbrëmë rreth orës 21:00 në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa në ora 21:40 është nisur për trajtim të mëtejshëm në QKUK, si rast emergjent.
“Sipas raportit të Klinikës Infektive, fëmiu, me autoambulancë është sjell në ora 22:50 në Klinikën Infektive, me gjendje shumë të rënduar, me diagnozë sepsis meningococica (infeksion i rëndë që kishte përfshirë krejt sipërfaqen trupore).
Nga mjekët kujdestar fëmiut menjëherë i ofrohet gjithë kujdesi i nevojshëm mjekësor dhe dërgohet në Repart për reagim të shpejtë, pa humbur kohë me procedura administrative në pranim. Fëmiu vendoset në oksigjeno-terapi, bazuar në protokollet mjekësore.
Përkundër masave reanimatore, gjendja e fëmiut vazhdimisht rëndohej edhe me rënie parametrave vital, ku në ora 23:40 përkundër kujdesit të vazhdueshëm, fëmiu vdes”, shkruhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Në njoftim po ashtu thuhet se 1-vjeçarit i është ofruar kujdesi i duhur dhe i nevojshëm si në Spitalin e Gjakovës, ashtu edhe në QKUK, por për shkak të gjendjes së rënduar nuk ka arritur të mbijetonte.