E para e shtetit, Vjosa Osmani, në pritjen solemne me rastin e Festës së Krishtlindjes, uroi të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje, raporton Gazeta Enigma.
“T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë, Shën Tereza! Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfrit e më të varfërve dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shëmbëlltyrën e ringjalljes së shpresës, të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për të. Ne sot, sipas shembullit të saj, jo vetëm urojmë njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellësisht mbi atë që e bën këtë festë kaq të veçantë. Përtej dritave vezulluese që e simbolizojnë shpresën, reflektojmë për bujarinë dhe bashkimin tonë”, u shpreh Osmani.
Ajo tha se Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa.
“Krishlindja na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ia shprehim mirënjohjen tonë familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve, me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa”, shtoi ajo.
Tutje Osmani tha se “Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha, ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”.
“Prandaj, sipas shembullit të Gonxhes sonë, të kujdesemi fort sonte e në gjithë motin që vjen për ata që presin ndihmën tonë e që kanë nevojë për kujdesin tonë”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani, teksa u shpreh se “Krishtlindja është moment për të treguar mirësi e kujdes ndaj tyre, duke u dhuruar buzëqeshje të ngrohtë, një gjest dashurie, le ta ndriçojmë botën e tyre”.
“Është më i bekuar ai që jep dhurata sesa ai që i pranon ato. Dhënia, në fund të fundit, e shpërndan gëzimin e Krishtlindjes shumë e gjerë”. / Gazeta Enigma.