Policia e Kosovës mbyll një institucion paralel të Serbisë në Mitrovicën e Veriut

Policia e Kosovës mbyll një institucion paralel të Serbisë në Mitrovicën e Veriut

Policia e Kosovës ka kryer sot bastisje në një objekt në veri.

Bëhet fjalë për  “Tre Rrokaqiejtë” në Mitrovicë të Veriut në një objekt në të cilin dyshohej për falsifikim të dokumenteve.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje të tjera për mbylljen e objektit në Mitrovicën e Veriut të enjten, duke thënë se aty ushtronte veprimtarinë një institucion paralel i Serbisë.

Sipas Sveçlës, ky institucion ka grumbulluar jashtëligjshëm pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre.

“Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Edhe më herët gjatë këtij viti, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione të ndryshme për mbylljen e institucioneve paralele nëpër komunat me shumicë serbe. 

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

“Sot pak para orës 11:00, Policia ka asistu zyrtarët Komunal të Mitrovicës Veriore në lidhje me verifikimin e Pronës së tyre tek tre rrokaqiejt. Në momentin e hyrjes në këtë objekt (kati i parë i ndërtesës), Policia ka biseduar me disa persona të cilët na kanë treguar se aty janë punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal.

Pas verifikimit të disa dokumenteve ne e kemi njoftu Prokurorinë e Mitrovicës dhe kemi hap rast për dyshimin Falsifikim të Dokumenteve. Punëtorët janë leju me i marr gjërat personale dhe me u largu nga aty, ndërsa janë vendos edhe shiritat”, tha Elshani.

Elshani tha se nga ky aksion nuk ka të arrestuar.

Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia do të verifikoj dokumentacionin që gjendet aty në detaje. Gjatë këtij veprimi policor, nuk ka pas ndonjë incident”, tha Elshani.

Related Articles