Qytetarët jashtë Kosovës do të kenë mundësinë të votojnë më herët se ata brenda vendit, pas regjistrimit online. Ky proces i votimit po organizohet për herë të parë në Kosovë.
Mbi 100 mijë votues të regjistruar tashmë kanë disa mundësi për të votuar, dhe periudha e votimit është caktuar në përputhje me mënyrën e zgjedhur, shkruan Gazeta Enigma.
Gjatë regjistrimit, votuesit mund të zgjedhin një nga këto opsione: (1) të votojnë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës; (2) të dërgojnë fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; ose (3) të dërgojnë fletëvotimin në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar afatet e votimit për secilën prej këtyre mundësive.
“Votimi në përfaqësi diplomatike për shtetasit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi do të zhvillohet më 8 shkurt 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, tha Elezi.
Për mënyrën e dytë të votimit përmes postës për votuesit që janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së, Elezi ka thënë se fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.
“Periudha e votimit për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar duke dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vota nga kjo mënyrë votimi, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve”, shpjegoi Elezi për Enigmën.
Për mënyrën e tretë dhe të fundit, e cila sipas KQZ-së, është mënyra që ka më së shumti votues të regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, do të fillojë më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.
“Edhe periudha për votim për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar duke dërguar pakon me fletëvotim përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vota nga kjo mënyrë votimi, pranohen nga ekipet që dërgon KQZ-ja, vetëm ato që kanë arritur në kutinë postare, më së voni deri në orën e mbylljes së vendvotimeve në përfaqësinë diplomatike”, shpjegoi Elezi./GazetaEnigma/