Osmani e Kurti ende “pa ftesa” për inaugurimin e Trumpit, a është ky sinjal “i përqarjeve” me ShBA-në?

Osmani e Kurti ende “pa ftesa” për inaugurimin e Trumpit, a është ky sinjal “i përqarjeve” me ShBA-në?

Inaugurimi i Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet që të bëhet më 20 janar. Liderë të shumtë nga i gjithë globi janë ftuar për të marrë pjesë në inaugurim.

Ndërkohë dy liderët kosovarë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, ende nuk kanë njoftuar nëse kanë marrë ftesa ose jo për këtë event, shkruan Gazeta Enigma.

Kjo “heshtje” e dy liderëve, ka vënë dyshime nëse ata në fakt nuk do marrin fare ftesë, dhe nëse kjo është një shenjë e raporteve jo të mira të Trumpit me Osmanin dhe Kurtit.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje për këtë çështje në adresë të ekzekutivit dhe presidencës, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje. E një lider opozitar ka marrë veçse ftesë për event.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, tha sot se kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka marrë ftesën për të marrë pjesë në inaugurim.

“Osmani dhe Kurti – të pa rëndësishëm për administratën Trump” Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Enigma se ftesat mund të kenë ardhur për Osmanin dhe Kurtin, por se të njëjtat nuk janë publikuar.

Megjithatë, në rast se nuk marrin ftesa fare, Baraliu thotë se kjo do ishte një shenjë se Shtëpia e Bardhë është e pakënaqur me liderët kosovarë dhe se Osmani dhe Kurti konsiderohen të parëndësishëm për Trumpin.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi shtet i vogël dhe ndoshta nuk na vlerësojnë sa duhet, dhe nuk është çudi edhe nëse nuk i ftojnë. Por mund të ndodhë që në ndërkohë t’i ftojnë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato Perëndimore në përgjithësi, natyrisht se i vlerësojnë liderët shtetërorë, të cilët i dëgjojnë nëçdo pikë, dhe me dëgjimin e çdo pikë, bëhet përmbushja e kërkesave dhe interesave të këtyre shteteve të mëdha. Ndërkohë, është evidente që gjatë këtij katër-vjeçari ka pasur frekuenca dhe disonanca të dallueshme zyrtare, mes Qeverisë së Kosovës dhe Shtëpisë së Bardhë. Më konkretisht me administratën Biden, e cila ishte e preferuar nga Qeveria Kurti. Por, për shkaqe dhe interesa strategjike të SHBA-së, nuk është çudi që ta ftojnë. Haradinajn – nëse e kanë ftuar, dhe të mos ftojnë liderët”, shprehet Baraliu për “Enigmën”.

“Mosftesa eventuale jep sinjale se Shtetet e Bashkuara janë tëpakënaqur dhe se këta dy (Osmani dhe Kurti) janë të parëndësishëm për administratën Trump”, shton ai.

Baraliu e përshkruan Trumpin si një eksponent të paparashikueshëm, “i cili dëshiron të zgjidhë çështjet për një moment dhe dëshiron që ta dëgjojnë”.

“Mbështetja e Harrisit, veprimet në veri dhe në dialog”

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë për Gazetën Enigma ka thënë se mundësia e mos marrjes pjesë në inagurim të Trump mund të jetë i lidhur me mbështetjen e Kurtit ndaj ish-kandidates demokrate në garën për President, Kamala Harris, si dhe moskoordinimi i veprimeve me SHBA-në, si në dialog, ashtu edhe në veri të vendit.

“Arsyet kryesore që Osmani dhe Kurti nuk janë ftuar në inaugurimin e presidentit Trump, mund të jenë mbështetja e ish-kandidates demokrate Kamala Harris, moskoordinimi i veprimeve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së për dialogun Kosovë Serbi, si dhe veprimet ne veriun e vendit”, deklaroi Sadiku.

Gjatë fushatës amerikane, Kurti shkoi për të marrë pjesë në Konventën e Demokratëve në SHBA, ku shprehu mbështetje për Kamala Harris.

Madje, ky nuk është rasti i parë kur Kurti ka dalë kundër Trumpit.

Në garën e vitit 2021 për president të Shteteve të Bashkuara, kryeministri Kurti kishte bërë thirrje që të votohet presidenti Joe Biden, në vend të kundër-kandidatit Donald Trump. /GAZETA ENIGMA

Related Articles