15 janari i vitit 1999 është data të cilën banorët e fshatit Reçak të Shtimes por edhe pasardhësit e tyre, nuk do ta harrojnë asnjëherë.
Kjo pasi, 26 vjet më parë, në atë fshat, pamëshirshëm ishte kryer njëra ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.
Në orët e para të mëngjesit forcat serbe kishin hyrë në këtë fshat.
Pas një aksioni disaorësh ata kishin vrarë dhe masakruar 45 civilë shqiptarë.
Fëmijë që qanin, shtëpi që u dilte tymi nga flaka, dhjetra kufoma, me pak fjalë ky ishte peisazhi që ofronte 15 janari i 99-tës në atë fshat të Shtimes.
Pamje këto të cilat lanë në shok botën.
Ata pak që mbijetuan, nëpër media treguan për tmerrin ç’njerzorë që kishin përjetuar.
“Ngjarja ka rrjedhë ashtu, atë (i referohet vëllaut)e vrajtën, na kemi ikë kemi hy me një podrum, por na kanë zënë aty, masi na kapën, na ndanë burrat veç e gratë veç, na disa shpëtuam, por disa të tjerë i morrën i masakruan, fillimisht i rrahën me dru, e më pas i vranë”, tregon Emini, një i mbijetuar.
Ditët që kalojnë nuk kanë zbehur aspak dhembjen e atyre të cilët para dy dekadave humbën të afërmit e tyre.
Një tjetër i mbijetuar është Ramë Shabani, i cili të freskëta i kishte kujtimet edhe pas sa vitesh nga ajo çka sytë i panë dhe zemra i përjetoi.
“Na rrahën shumë keq e çka kemi pasë na morrën letërnjoftima, pare të gjitha”.
Ai ende e ka të vështirë të besoj se si arriti të shpëtoj nga duart e serbëve.
“Unë ika këtej nëpër mal te poshtë, ndërsa dy të tjerë që ishin me mua i vranë menjëherë, më pas na kanë qit një rreth, i zun disa të tjerë. Të gjitha teshat i kam pas të shpuara, por fatmirësisht asnjë plumb në trup nuk e morra”.
E dëshmitarë i atyre pamjeve mizore ishte edhe ish-shefi verifikues i misionit të OSBE-së, Ëilliam Ëallker, i cili pa hezituar i tregoi botës për masakrën më të tmerrshme që kishte parë me sy.
“Është e vështirë të gjej fjalë për këtë që po shoh, është ngjarja më e tmerrshme që kamë parë ndonjëherë”, tha Ëallker menjëherë pasi pa nga afër atë se çka kishte ndodhur.
“Më 15 janar të vitit 1999-të, moti ishte i keq, kishte borë e akull, ishte e vështirë të ecje në atë teren, dhe ti shohësh trupat viktimave të asaj që kishte ndodhur një natë më parë”, u shpreh ai.
26 vite më vonë familjarët e të vrarëve ngushëllohen para memorialit duke parë fotografitë e atyre që i deshtën shumë dhe që padrejtësisht forcat serbe ua morrën jetën. /Gazeta Enigma