Në Bruksel, sot do të mbahej takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ky do të ishte takimi i parë i Komisionit të Përbashkët Kosovë-Serbi për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Policia e Kosovës me aksion për mbylljen e strukturave paralele
Po sot Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në dhjetëra lokacione për mbylljen e strukturave paralele serbe.
“Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa rajone të Kosovës, si DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu”, ka njoftuar Policia.
Pala serbe largohet nga takimi në Bruksel, shkak aksioni kundër strukturave paralele në Kosovë
Sot në Bruksel ishte planifikuar të mbahet mbledhja e parë e Komisionit të Përbashkët për Personat e Pagjetur, por pala serbe raportohet se është larguar nga takimi.
Petkoviq u largua nga bisedimet për shkak të një aksioni të Policisë së Kosovës ku u mbyllën strukturat paralele në dhjetë komuna të vendit.
Delegacioni serb e ka cilësuar këtë si “dhunë institucionale të paprecedentë”.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar sot se me aksion të përbashkët të kësaj ministrie me Policinë, Ministrinë e Industrisë dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal janë mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
Anulohet takimi për personat e zhdukur në Bruksel, Hoti: Prania e Petkoviqit orkestroi dështimin e këtij takimi
Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, Andin Hoti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka njoftuar për dështimin e këtij takimi.
“Sot, më 15 janar 2025, ishte planifikuar që të mbahej takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel ashtu siç është paralajmëruar”, tha ai.
Tutje Hoti ka theksuar se “takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve”.
“Kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve”, ka shkruar Hoti.
Prania e Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”, ka shkruar Hoti.
Ky takim do të kryesohet nga Bashkimi Evropian, e palë do të jenë delegacionet nga Kosova e Serbia.
Kujtojmë se rreth 1 mijë e 600 persona figurojnë të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë. /Gazeta Enigma/