Rritja e çmimeve të derivateve ditëve të fundit në vendin tonë ka shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët, shkruan Gazeta “Enigma”.
S.S. qytetar nga Gjilani ka thënë se rritja e çmimeve të derivateve po ndikon direkt në kuletën e tij.
“Rritja e çmimeve të derivateve ka ndikuar në kuletatat tona. Është më e udhës të caktohet një çmim i arsyeshëm me standardet tona që i kemi dhe të mos ketë shpesh lëvizje në këto çmime”, tha ai për “Enigmën”.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili ka konfirmuar se ka rritje të çmimeve të derivateve, por që sipas tij këto rritje janë më ulëta në rajon.
“Aktualisht, çmimi i naftës varion nga 1.25 deri në 1.32 euro për litër, ndërsa benzina shitet nga 1.27 deri në 1.31 euro për litër, ne i kemi çmimet më të ulëta në rajon”, deklaroi ai.
“Në Shqipëri, një litër naftë kushton 1.90 euro, ndërsa benzina është 1.82 euro”.
Tutje Berjani ka theksuar se shkaku kryesor i rritjes së çmimeve është reduktimi i prodhimit nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), dhe se nuk ka pasur ndikime politike apo ekonomike në nivel lokal.
“Kur prodhimi reduktohet, çmimet automatikisht rriten, dhe kjo po reflekton edhe në Kosovë, megjithëse në nivele të lehta”, shtoi ai. /Gazeta Enigma/