Tashmë kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga hapja e zyrtare e fushatave elektorale të partive për zgjedhjet e 9 shkurtit, këto të fundit kanë aktivizuar motorët e tyre.
Secili subjekt politik përmes një forme ose tjetër po tenton të përcjellë programet e tyre qeverisëse tek publiku, vota e së cilëve u duhet shumë, shkruan Gazeta Enigma.
Të shumta janë tani edhe paraqitjet televizive të përfaqësuesëve të partive politike në vend.
Mirëpo Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, kryeministrin aktual dhe kandidatin për këtë post, ka vendosur që të selektoj paraqitjet e tyre televizive.
Me pak fjalë situata shpjegohet kështu: Jo intervista për të gjitha televizionet.
Të paktën kështu janë shprehur vet ata.
Lidhur me këtë pak ditë më parë në një intervistë në emisionin ‘Politiko’, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka treguar më shumë për ‘bojkotin’ që i është bërë disa mediave nga partia e saj.
“Aty ku shtabi i partisë na lejon ne do të jemi me kënaqësi patjetër, tash jemi vetëm sipas kërkesave të shtabit zgjedhor. Është interesante sepse knej nuk na dojnë e knej po dojnë me na pasë në studio, kur nuk e do dikë, për çfarë arsye me pas në studio, me u shty a, por qytetarët nuk dojnë këto”, u shpreh ministrja.
“Kur është vendim i shtabit, ne e respektojmë, në plotni, ashtu siç kërkon shtabi ne jemi sipas kërkesave të tyre, do të shkojmë ne debate televizive, por për mua është shumë e rëndësishme që të jemi në takime me qytetarët e Republikës së Kosovës gjithandej sepse shumë më ndryshe është kur ulësh me ta, flet me ta dhe ua tregon veprimet që ke ndërmarrë dhe të shpreh ndonjë hallë apo shqetësim”
“Vlerësojmë dhe respektojmë rolin e mediave në Republikën e Kosovës, edhe unë personalisht edhe vetëvendosja edhe qeveria. Natyrisht që ne nuk themi se të gjitha janë njësoj por duhet të pajtoheni edhe disa raste që ne nuk kemi qenë dakord”, u shpreh Haxhiu.
Një vendim të tillë për Gazeta Enigma e ka komentuar edhe drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli-Nimani, vendim ky sipas së cilës ndikon direkt tek publiku.
“Vendimi i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit aktual për të mos marrë pjesë në debate televizive gjatë fushatës zgjedhore ndikon shumë në informimin e publikut” tha ajo.
Tutje Demolli-Nimani thotë se në një sistem demokratik, debatet dhe përballjet mediatike janë pjesë themelore e transparencës dhe llogaridhënies para votuesve.
Sipas saj, mos pjesëmarrja në diskutime publike kufizon mundësinë e qytetarëve për të dëgjuar qëndrimet, programin dhe argumentet që Kryeministri dhe partia në pushtet mund ti kenë për çështjet kyçe me të cilat përballet vendi.
“Kjo qasje arrogante e partisë në pushtet, ku në vend se të përballet me gazetarët ka vendos vetëm të blejë hapësirë në një televizion, pra ai e ka të rëndësishme vetëm të transmetoj fjalët e tij, pra komunikim njëdrejtimësh dhe jo të përballët edhe opozitën dhe gazetarët të cilët tentojnë ta mbajnë llogaridhënës për 4 vite qeverisje me vendin, se do të ketë pasoja dhe do të ndëshkohet nga votuesi në këto zgjedhje”, shtoi më tej Demolli-Nimani.
Ndërkaq për ‘braktisjen’ e disa mediave nga partia e pushetit gjatë fushatës ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është i shqetësuar me zhvillimet që lidhen me nisjen e fushatës për Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit.
Paralajmërimi për bojkotin e disa prej televizioneve kryesore në vend, si Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7, nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosje, është një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj.
E ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje që ta rishqyrtojë pozicionin e saj dhe t’u ofrojë mediave qasje të barabartë në fushatë.
Mediave duhet t’u mundësohet që në mënyrë të barabartë të paraqesin programet e të gjitha subjekteve politike që garojnë, pasi puna e tyre është në interes të publikut. Bojkoti i paralajmëruar paraqet goditje të qëllimshme ndaj pluralitetit medial që e shquan Kosovën dhe është vazhdimësi e një sërë veprimesh të kësaj qeverie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Kujtojmë se tashmë kanë mbetur më pak se një muaj deri në ditën e zgjedhjeve parlamentare, të cilat janë paraparë të mbahen me datë 9 shkurt. /Gazeta Enigma