Partitë politike kanë filluar edhe zyrtarisht me fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, shkruan Gazeta Enigma.
Vetëvendosja duke hyrë në këto zgjedhje si partia në pushtet, e hapi fushatën të shtunën e 11 janarit, në Gjakovë, ku më pas u vazhdua me Mitrovicën, më 12 janar, e më 13 janar në Pejë.
Pamjë nga tubimi në Gjakovë
Më 14 janar, Partia e Kurtit mbajti tubim në Kaçanik e Han të Elezit, e më pas në Podujevë e Fushë Kosovë.
Partia e Kurtit është e vetmja e cila nuk ka prezantuar program qeverisës për 4 vjet e ardhshme.
Partia e dytë më e votuar nga zgjedhjet e fundit në vend, Partia Demokratike e Kosovës, e ka nisur fushatën në Prishtinë, në sallën 1 tetori.
Të dielën, më 12 janar, PDK mbajti tubim në Ferizaj.
Më 13 janar, PDK bëri një pauzë nga fushata, duke mos organizuar tubim të madh, e më pas duke vazhduar me tubime më të vogla në Zhegër, Llashticë e disa lagje të Prishtinës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar fushatën në Prishtinë, duke bërë edhe prezantimin e 110 kandidatëve për deputet.
Pas tubimit, LDK shkroi në Facebook: “Mijëra rugovistëve që na mbetën jashtë, ju kërkojmë falje dhe shprehim mirënjohje për durimin, përkushtimin dhe mbështetjen e pakrahasueshme që na dhanë mbrëmë”.
Më 12 janar, LDK mbajtim tubime në Kaçanik dhe Han të Elezit.
Më 13 janar, LDK vazhdoi me tubimin në Kamenicë dhe në lagjen Dardani në Gjilan.
Më 14 janar, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, mbajti tubim dhe konferencë së bashku me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në të cilën u premtuan projekte për kryeqytetin në vlerë prej 1.5 miliard euro.
LDK vazhdoi në Novobërdë, Obiliq e disa lagje të Prishtinës. Më 15 janar, tubim më të madh mbajti në Klinë.
AAK, Nisma dhe partnerët e koalicionit, e kanë filluar poashtu fushatën të shtunën e 11 janarit, në Prishtinë.
Më 13 janar, vazhduan me tubim të madh në Gjakovë, ndërsa më 14 janar, u zhvillua tubimi në Suharekë, e më 15 janar në Klinë.
Lista për Familjen, në krye me Eman Rrahmanin, ka nisur fushatën me tubim në Prishtinë.
Tubimet e kësaj partie me partnerët e koalicionit, i vazhdoi më 15 janar në Mitrovicë.
“Përplasjet” mes kandidatëve
Gjatë një tubimi në Mitrovicë, kryeministri Albin Kurti i quajti liderët opozitarë “zuzarë” dhe “hajna që e kanë shitur Kosovën.”
Këto deklarata u kritikuan nga analisti Lirim Mehmetaj, i cili i quajti hipokrite dhe të pandershme.
“Kurti pretendon të jetë padron i vlerave morale, por këto qëndrime janë të sëmura dhe hipokrite,” tha Mehmetaj.
Analisti thotë se është një domethënie që një parti arrin ta mbushë një sallë.
“Shembull AAK-ja e mbushi sallën e njëjtë si PDK-ja, sallën më të madhe në Kosovë. LVV nuk arriti ta mbushë sallën”, deklaroi ai.
Megjithatë Mehmetaj shtoi se kjo nuk është tregues i rezultatit të zgjedhjeve.
Programet zgjedhore të partive po hapin diskutime intensive për qasjet e tyre ndaj çështjeve kyçe, sidomos drejtësia dhe qeverisja.
Kreu i partisë në pushtet, Albin Kurti, ka ironizuar edhe me kandidatin për kryeministër nga Lidhja Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke e krahasuar me mizën.
“Kur na rastit të dëgjojmë naj udhëheqës të LDK që thotë se po i pëlqen populli e ka simpati për ta, kjo mu m’i përngjan asaj mizës që thoshte kudo po shkoj po më presin me duartrokitje. Pra kur ata thojnë që populli është si ajo miza që lavdohet se njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë që me ato duar që duatrokasin çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”, tha Kurti.
E kësaj, Abidixhiku iu përgjigj duke thënë se në këtë fushatë, nuk do të merren me çështje negative.
Pasi prezantoi planin për investime në kryeqytet, Abddixhiku deklaroi se “nuk janë për t’u sharë e për t’u zhytur në moçalin e pështymave”.
Veç kësaj, ai i bëri thirrje sërish kryeministrit Kurti për ballafaqim publik.
“Nuk merremi me çështje negative në këtë fushatë, kemi përpara një obligim të madh qytetar dhe ky obligim na thërret për propozime konkrete, për ide të ardhshme se si bëhet vendi. Nuk jemi për t’u sharë e për t’u zhytur në moçalin e madh të pështymave, jemi për të prezantuar punën e ardhshme të Republikës së Kosovës, sepse na duhet t’ju shpjegojmë qytetarëve tanë se për çfarë qëndrojmë. Unë e ftoj secilin njëri që t’i përcjellë me kaq masivitet tubimet e LDK-së dhe kaq interesim, në mënyrë të kuptojmë se çfarë i pret për katër vitet e ardhshme brenda Republikës së Kosovës, e kryeministrin në ikje e ftoj edhe për ballafaqim publik e t’i masim idetë për idetë për ardhmen. Për t’u sharë i kemi disa tjerë por nuk e kam ndërmend këtë fushatë me u shajtë”, ka thënë Abdixhiku.
Pse po “shahen” partitë mes vete?
Analisti politik, Amir Shabani, ka thënë për Gazetën Enigma “fushata zgjedhore në Kosovë sikur ka marr hov të tepërt me ofendime dhe kundërshtime ndaj njëri-tjetrit”.
Ai tha se sheh interesim të madh në tubimet e partisë në pshtet, e cila sipas tij do të fitoj bindshëm zgjedhjet parlamentare.
“Sa mund ta shoh unë, njerëzit po shfaqin interes të shumtë ndaj VV-së, ku pritet të fitojë bindshëm edhe kësaj radhe”, tha ai.
Shabani tha se partia e re, Lista për Familjen me koalicionin që ka kërkuar, ka program kualitativ për shoqërine kosovare.
“Partitë tjera, sidomos të rejat, siç është Lista për Familjen, duket se kanë program kualitativ dhe të përshtatshëm për shoqërinë kosovare. Mos të harrojmë se një pjesë e madhe e Kosovës është irrituar nga përkrahja e madhe e VV-së për LGBT-në, ku nga ana tjetër, Lista për Familjen favorizon rëndësinë e familjes tradicionale, e jo adoptimin e fëmijëve qoftë edhe nga çiftet e gjinisë së njejtë”, ka thënë ai.
Shabani tha se nuk sheh kuadro profesionale tek VV-ja, pos kryekuvendarit dhe kreut të partisë.
“Sa i përket përgatitjes së tyre profesionale, tek VV mendoj se përveç Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës nuk ka kuadër tjetër profedionist, mund të jem gabim, por kjo është bindja ime, por se politika e jashtme nuk është se ka pasur progres”, ka vazhduar ai.
“Çdo parti apo koalicion kanë kuadrot e tyre pak a shumë të përgatitura deri diku, por mbetet të shohim zhvillimin e garës deri më 9 shkurt, atëherë kur fati i Kosovës mund të ketë një epokë të re të funksionimit të brendshëm dhe të jashtëm”, përfundoi ai.
9 shkurti – “Vula e revolucionit”
Në anën tjetër, analisti Sadri Ramabaja në një prononcim për Gazetën “Enigma” tha se zgjedhjet e 9 shkurtit pret të jenë vula e revolucionit i cili filloi në zgjedhjet e 2021-ës.
“Po hyjnë në një palë zgjedhje pas referendumit të 21 shkurtit 2021, kur në Kosovë, de fakto, kishim kthesë historike. Zgjedhjet atëbotë shënonin prologun e një revolucioni demokratik të heshtur, që vazhdoi për katër vjet rresht. Ndërkaq zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 pres të jenë vulosja e këtij revolucioni”, tha ai.
Tutje, ai tha se tubimet kishin rrjedhë normale në këtë javë të parë. Ai “thumboi” edhe mediat të cilat po bëjnë garën e opozitës.
“Tubimet e para, të kësaj jave të parë të fushatës zyrtare, duket se kishin një rrjedhë normale. Por, pikërisht kjo rrjedhë normale, sikur ka shqetësuar eshalonin e kolonës së pestë, respektivisht punëdhënësit e tyre. Për ata, që ndërkohë më shumë angazhohen si analistë në studiot televizive e botues gazetash elektronike, respektivisht portaleve, progresi i Republikës në marshin e lirisë dhe selitjes së demokracisë reale, është vet vdekja e paralajmruar e tyre qofshin si figura publike, qofshin si pronar a manjat gazetash e portparoll që i shërbejnë parapolitikës”, tha Ramabaja.
Ai ka komentuar edhe tubimet masive të partive kandiduese.
“Qytetarët po marrin pjesë aktive në fushatë. Ata përmes pjeësmarrjes aktive po shprehin pikëpamjet e tyre legjitime politike. Kjo është e bukura e demokracisë liberale që selitë Kosova mençurisht. Natyrisht në qendrat e mëdha kjo pjesëmarrje ka masivitet më të fuqishëm. Është shumë e dobishme kjo pjesëmarrje masive në garë; ajo e legjitimon fuqishëm fitoren, që tashmë është e qartë se cila forcë politike e ka më se të garantuar”, tha ai. “Në këto gara, ajo që mund të thuhet që tash, është se Kosova po shkon drejt krijimit të dy blloqeve politike, që do tëformësohen edhe më qartë në zgjedhjet pasuese”, përfundoi Ramabaja. /Gazeta Enigma/