Tashmë kur fushata elektorale pothuajse ka hyrë në javën e dytë, subjektet politike kanë “ndezur motorët” duke bërë çmos për të marrë konfirmimin e qytetarëve se në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të kenë votën e tyre.
Me akuza, e kundërakuza, gjuhë të ashpër e tone të larta po shoqërohet pothuasje secili tubim elektoral.
E për gjuhën e përdorur në fushatë, disa nga partitë veçse janë dëmuar nga Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP).
Lëvizja Vetëvendosje, që prej hapjes së fushatës ka marrë vëmendjen e opinionit publik dhe jo vetëm.
Më shumë se për mungesën e programit me të cilin kërkon votën e qytetarëve, këtë herë LVV-ja është komentuar për gjuhën dhe tonalitetin e përdorur nga kryeministri Albin Kurti.
Analisti politik Shkodran Ramadanin vlerëson se “Kurti e ka shndërru çdo tubim në shfaqje teatrale”.
“Këtë fushatë po vërehet një fenomen më i theksuar se në fushatat e kaluara të Kurtit, edhe në të kaluarën, e ka portretizu vetën si karta më e fortë e partis, megjithatë në këto zgjedhje ka shku në një version ekstrem, edhe e ka shndërru çdo podium në tubimet e Vetëvendosjes në një skenë teatrale, ku ai e luan rolin kryesorë, e ku lista e vetëvendosjes është komplet në hije.”, tha ai.
Tutje fushatën e Kurtit, Ramadani po e sheh sikur atë të ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Është gati si kopje e Hashim Thaçit në vitin 2014, kur i largonte kandidatët për deputetë nga skena dhe vet qëndronte në skenë, për t’ia paraqitur ofertën qytetarëve të Kosovës. Në vend që të promovojë një ekip të fortë, të aftë dhe cilësor, Kurti është fokusu vetëm tek vetja, pra mungesën e ekipit është duke u mundu me kompensu me prani të theksume të vetvetës”
Më tej Shkodrani për Enigmën tregon se pse sipas tij, kryeministri aktual, Albin Kurti, po përdorë një tonalitet më të lartë gjatë kësaj fushate.
“Cështja e dytë është se ai përmes bërtimave po mundohet që dobësinë në argumente me kompensu, poashtu dështimin për me i realizu premtimet në zgjedhjet e vitit 2021, po e kompenson në këtë formë pra ai përmes bërtimave dhe çjerrjes është duke tingëllu si një personalitet i verbum prej vetbesimit dhe arrogancës, që besoj se nuk ka me dal mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pak ditë më parë, përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, Albert Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka komentuar mbi gjuhën e përdorur nga kryeministri gjatë kësaj fushate.
“Kryetari i VV-së po përpiqet me çdo kusht të tërheqë vëmendjen e opozitës, duke refuzuar të pranojë injorimin e arsyeshëm që po i bëhet. Sot paska përdorur gjuhë denigruese ndaj LDK-së duke i shtrembëruar emrin në “LDKyhi” dhe treguar batuta me miza, që janë pjesë e një diskursi polarizues që shpesh përdoret për të delegjitimuar kundërshtarët ose për t’i nënçmuar, duke i paraqitur si të pavlerë dhe qesharakë”, ka theksuar ai.
Siç shton ai “Ky model i sjelljes nga një lider në pushtet është një shembull i keq, i cili mund të lërë pasoja afatgjata në diskursin publik”.
Në anën tjetër edhe kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha, për Gazetën Enigma ka thënë se gjuha dhe gjestikulacionet e Kurtit tregojnë shenja të një krize të thellë morale dhe ndërgjegjësore.
“Këto janë simptomat e para të një çmendurie që shpesh e shoqëron dëliri i pushtetit, si dhe shfaqje të skizofrenisë politike që burojnë nga një krizë e identitetit të lidhur me deficitin patriotik dhe mungesën e kontributit real në lavdinë e historisë së shtetbërjes së Kosovës”, tha Berisha.
Më tej ai shtoi se ‘Një qasje e tillë nuk është vetëm shqetësuese, por edhe e rrezikshme për stabilitetin demokratik dhe kulturën institucionale’.
Megjithatë kujtojmë se videot nga fushata e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë gjiron e internetit, dhe se përtej kritikave ka pasur edhe nga ata të cilët e shohin krejt normale mënyrën se si ky subjekt politik ka zgjedhur të garoj këtë herë.
Përpos gjuha e Kurtit, edhe oponentë të tjerë politik po kritikohen për gjuhën e tyre.
Ishte kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, i cili gjatë një interviste televizive, kometoi dukjen e ministres Donika Gërvalla – Schëarz. Ai madje përdori një fjalor ofendues ndaj saj. “Bukur i paska rregullu dhëmbët, ndoshta e rregullon dhe trurin, ka nevojë”, theksoi ai në Dukagjin. /Gazeta Engima