Lëvizja Vetëvendosje pa planprogram në këto zgjedhje, “faturën” e paguan më 9 shkurt

Lëvizja Vetëvendosje pa planprogram në këto zgjedhje, “faturën” e paguan më 9 shkurt

Partia që është në pushtet tash e katër vjet, Lëvizja Vetëvendosej, e që po synon të jetë në pozitë edhe për katër vjet tjera, ende nuk e ka publikuar një planprogram, me të cilin do i tregonte qytetarëve për atë se çka synojnë të bëjnë në mandatin e dytë – nëse i jepet mundësia, shkruan Gazeta Enigma.

Përderisa partitë tjera që po synojnë pushtetitn – PDK, LDK e AAK – kanë publikuar planprogramet si në ekonomi, shëndetësi e infrastrukturë, LVV-ja ende s’e ka bërë një gjë të tillë.

Nga kjo parti nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Enigma se pse kanë zgjedhur të bëjnë fushatë pa planprogram konkret.

“Fyerje për qytetarët dhe votuesit e saj”

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Ramadani, thotë se mospublikimi i planprogramit është “absulutisht një fyerje” për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe në veçanti për votuesit e saj, pasi partia të cilën ata e kanë ndërmend ta votojnë, nuk ka kurrfarë oferte për ta.

“Kjo vjen edhe nga fakti që programi i vitit 2021 nuk është plotësuar pothuajse në asnjë pikë serioze. Në asnjë sferë, në çdo sektor ka stagnim ose regres, dhe me këto punë të lëna në gjysmë, ata tani nuk mund të dalin me premtime të reja në program, të shkruar, por po i shohim dhe po i dëgjojmë në fjalime, me bërtima, duke premtuar që do i realizojnë premtimet që i kanë premtuar para katër vjetëve”, shprehet Ramadani.

“Në këtë kuptim, Vetëvendosje është dukshëm më e dobët se PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat tashmë kanë publikuar programet e tyre, kanë bërë ofertat për qytetarët, kanë prezantuar ekipet me të cilat ato synojnë t’i realizojnë këto premtime, ndërkohë që LVV është e fokusuar në promovimin e vetëm një njeriu, i cili bërtet e ofendon opozitarët, partitë tjera, gazetarët, bizneset, gjykatat e prokurorinë. Pra, përveç fyerjeve e bërtimave, nuk ka asgjë tjetër për të ofruar”, deklaroi tutje njohësi i çështjeve politike.

Ramadani shprehet i bindur se kjo do të ndikojë deri në një masë në rezultatin e zgjedhjeve për LVV-në.

Obligim politik

Kurse, profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se është një obligim politik, human dhe etik, ndaj qytetarit, që çdo subjekti politik t’i ofrojë ofertën të shkruar qytetarit, përmes planprogramit.

“Tjetër është nëpër tubime të flasësh dhe të bësh fushatë, tjetër është t’ia jepësh programin ku gjërat janë të detajuara dhe të përpunuara, ku më pas votuesi mund të krijojë njëpërshtypje nëse do e votojë ose jo një subjekt politik”, tha Barali në një prononcim për “Enigmën”.

Baraliu pohon se programet janë të nevojshme dhe se mos publikimi i tij lë “në një përshtypje jo shumë të mirë tek votuesit”.

“Pra, në njërën anë që nuk e respektuar votuesin dhe në anën tjetër që e ka lënë mangut dhe nuk ia ka dhënë mundësinë qëai të përcaktohet me atë subjekt politik, që nëse do kishte program, do ta votonte ose jo”, deklaroi Baraliu.

Se si mospublikimi i një planprogrami do të ndikojë për Lëvizjen Vetëvendosjen, do të shihet më 9 shkurt, datë kjo kur do mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje është në garë “kokë më kokë” me PDK-në, LDK-në e AAK-në. /GAZETA ENIGMA

Related Articles