Mediat raportuan sot se Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka është ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet dje ka sulmuar fizikisht dy persona, raporton Gazeta Enigma.
Ai së bashku me dy persona të tjerë, kanë kanosur dhe sulmuar viktimën femër kosovare.
Kështu thuhet në raportin e policisë, ku theksohet se ngjarja ka ndodhur dje në Prizren në orën 18:00.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit kanë kanosur dhe sulmuar viktimën femër kosovare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuar dërgohen në mbajtje ndërsa një lirohet në procedurë të rregullt”.
Damka është kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, e cila ka garuar në zgjedhjet parlamentare. Ai dyshohet se ka sulmuar një kandidate nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore.
Ndërkaq Partia Turke e Lëvizjes Novatore (YTHP) publikisht ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka për sulm fizik ndaj një kandidateje për deputete nga radhët e YTHP-së.
Sipas kësaj partie rasti ka ndodhur në parkun në lagjen Kurrillë.
“Kryetari i përgjithshëm i KDTP-së, Fikrim Damka, ka sulmuar fizikisht kandidaten për deputete të YTHP-së, Arda Maloku, në Parkun e Dëshmorëve në Kurrillë. Përfaqësuesit e partisë sonë do të ndërmarrin menjëherë hapat ligjorë lidhur me këtë sulm, duke e denoncuar rastin në Drejtorinë e Policisë në Prizren dhe në Prokurorinë e Prizrenit, si dhe do të bëjnë kallëzim penal ndaj personit në fjalë”, thuhet në komunikatën e YTHP-së. Aty gjithashtu është shprehur mallkimi për “duart që ngrihen kundër grave”. / Gazeta Enigma.