Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë do të fillojë të martën e 11 shkurtit në Qendrat Komunale të Numërimit, rapoton Gazeta “Enigma”.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se gjatë këtij procesi do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike sipas rregullores.
“Sqarojmë se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së 16/2024 për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike”, tha ai.
Tutje Elezi ka theksuar se “pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do shpall rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”.
Ndryshe, deri tash janë numëruar rreth 99.17 përqind e votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit. /Gazeta Enigma/