Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me 23 vjet e 9 muaj burgim ndaj 13 ish-policët e veriut të akuzuar për korrupsion.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë të shpallur më 27 tetor 2023, i akuzuari Zvezdan Spasojeviq është dënuar me tre vjet burgim, me 2 vjet e 3 muaj është dënuar edhe e akuzuara Blijana Nedelikoviç, Milija Milunoviq, me 1 vit e 10 muaj, me nga dy vite të akuzuarit Albert Maxhuni, Abdurrahim Haxhiq, Ramadan Mustafiq dhe Reshit Kuqi, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Gazeta Enigma.
Kurse, e akuzuara Jasana Durleviq është dënuar me 1 vit e 10 muaj burgim, ndërsa, të akuzuarit Zenel Bahtiri dhe Ali Pllana janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim, gjithashtu, dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj u është shqiptuar të akuzuarve Vukadin Tomasheviq dhe Blagoja Lazoviq, kurse me 6 muaj burgim është dënuar edhe i akuzuari Burim Merovci.
Ndërsa, të akuzuarit Oliver Kuzmanoviq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiriviq, Zoran Rradunoviq, Blagica Tomoviq dhe Ljubisha Vujinoviq janë liruar nga akuza në mungesë të provave, kurse të akuzuarit Nebojsa Gogiq i ishte refuzuar akuza për veprat penale që ngarkohej, pasi që prokurori ishte tërhequr nga ndjekja penale.
Kundër këtij aktgjykimi kanë ushtruar ankesë, Prokuroria Speciale e Kosovës, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nga neni 383 par.1 nënpar.1.3 të KPP-SË- së, me propozim që Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit dhe vlerësimit në ankesë sa i përket të akuzuarve Oliver Kuzmanoviq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiriviq, Zoran Rradunoviq, Blagica Tomoviq dhe Ljubisha Vujinoviq ta anuloj aktgjykimin e ankimuar dhe lëndën ta kthej në shkallë të parë në rivendosje.
Ankesë kundër aktgjykimit të Themelores kanë paraqitur mbrojtësit e të akuzuarve për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.1.10 lidhur me nenin 369 par.7 të KPP-SË-së, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nga neni 386 të KPP-SË-së, shkeljes së ligjit penal nga neni 385 par.1 nënpar.1.2 të KPP-SË-së, dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Apeli, të aprovoi ankesën si të bazuar, ta ndryshoj aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarat t’i liroj nga akuza ose lëndën ta kthejë në shkalle të parë në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas vendimit të Apelit të marrë më 16 dhjetor 2024, ankesat dhe pretendimet ankimore të prokurorisë, nuk ishin të bazuara për pjesën liruese.
Nga të gjeturat e Apelit, thuhet se edhe ankesat e mbrojtësve nuk ishin të bazuara pasi që vlerëson se pretendimet e cekura ankimore të mbrojtësve nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat, sipas detyrës zyrtare kujdeset Gjykata e Apelit, e të cilat do të kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
“Gjykata e Apelit, gjen se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtëseve se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 dhe 2 të KPP-së, ngase dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe përpilimin e dispozitivit”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë, kishte bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor, dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta objektive, të ligjshme, i ka aprovuar edhe Gjykata e Apelit.
Vlerësimi i provave thuhet se ishte bërë në pajtim me dispozitat e nenit 360 par.1 të KPP-së, duke dhënë arsye të qarta dhe konkrete për vendimin, kohën dhe mënyrën se si ka ardhur deri të kryerja e veprës penale nga ana e të akuzuarve.
Gjithashtu sipas vendimit të Apelit, në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë ishin dhënë arsye të qarta dhe konkrete në raport me veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar për veprën penale për të cilën edhe janë gjendur fajtor.
“Ndërsa në raport me provat e papranueshme, kryesisht konsistojnë se transkriptet e bisedave janë prova të papranueshme, se janë nxjerrë pa aktvendim për fillim e hetimit dhe për kundër kësaj këto transkripte edhe pse janë shpallur si prova të papranueshme të njëjta janë të pranueshme për disa të pandehur të tjerë jo dhe se gjykata në asnjë rast nuk ka mundur dhe nuk duhet t’i referohet kësaj prove”, është cekur në vendimin e Apelit.
Në vendimin e Apelit thuhet se në raport me pretendimet e prokurorisë për pjesën liruese, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit përkitazi, gjykata e shkallës së parë, me të drejtë ka konstatuar se nuk është vërtetuar se të akuzuarit O.K, D.S, D.K, Z.R, B.T, L.V kanë kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi për kundër fakteve të pa kontestueshme se të njëjtit ishin Zyrtarë Policorë pranë të njëjtit Stacion Policor për Mbikëqyrje Kufitare në Zubin Potok, megjithatë në raport me këta të akuzuar nga provat e administruara nuk është vërtetuar se të njëjtit në bashkëkryerje të kenë vepruar më të akuzuarit e tjerë që të ndërmarrin ndonjë veprim konkret të jashtëligjshëm duke mos kryer detyrën zyrtare me qëllim për të përfituar për vete apo për çfarëdo dobie për personat e tjerë, pra duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar.
Për pretendimet e mbrojtëseve të akuzuarve kryesisht, se shkelja e ligjit penal është pasojë, e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe pasojë e vërtetimit të gabuar e jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit thotë se janë të paqëndrueshme, ngase mbi bazën e fakteve të provuara, gjykata e shkallës së parë drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal, kjo për faktin se në veprimet e të akuzuarve formësohen tiparet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën janë shpallur fajtor, se për këto vepra penale të njëjtit janë penalisht përgjegjës, si dhe nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale apo përgjegjësinë penale të akuzuarve në këtë drejtim.
Ndërsa, të gjeturat për vendimin mbi dënimin, duke vlerësuar çështjen përkitazi me vendimin për dënimin, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ankesat e mbrojtësve të akuzuarve për një dënim me të butë nuk janë të bazuara.
Kjo pasi që gjykata e shkallës së parë, me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit kishte marrë parasysh dhe kishte vlerësuar drejt të gjitha rrethanat lehtësuese dhe renduese konform nenit 73 dhe 74 të KPRK-së që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 maj 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.