Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë, e deri më sot kur kemi rënie të numrit të rasteve, me virusin COVID-19 janë prekur 107 mijë e 854 qytetarë.
Pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve me COVID-19, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), edhe numri i të shëruarve kalon shifrën e 100 mijë personave.
Sipas këtyre të dhënave nga marsi i vitit 2020 e deri më sot, 105 mijë e 457 qytetarë kanë arritur ta mposhtin betejën me COVID-19.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme në vendin tonë janë konfirmuar 12 raste të reja, ndërkaq nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.
Në total numri i rasteve aktive është 133, kurse procesi i vaksinimit të qytetarëve po vazhdon.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 919 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 253.858 doza të vaksinës.
Deri më sot 64.276 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.