Hasani në takim me Shefin e KiE-së: Anëtarësimi i Kosovës të bëhet sa më shpejtë

Hasani në takim me Shefin e KiE-së: Anëtarësimi i Kosovës të bëhet sa më shpejtë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani në një takim që pati me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.

Kryediplomati shqiptar me zyrtarin e lartë të Këshillit të Evropës ka folur edhe mbi integrimin e Shqipërisë, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit si dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.

“I lumtur të mirëprisja sot Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset, një vizitë veçanërisht simbolike pasi viti 2025 përkon edhe me 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e saj për Ukrainën”.

“Gjithashtu gjeta rastin t’i nënvizoj z. Berset se anëtarësimi mëse i merituar i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj saj, duke e parë si një pikë kyçe për stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Hasani.

Edhe kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka pritur në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Alain Berset, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Në takim ishin të pranishëm anëtarët e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, deputetet Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Albana Vokshi, si edhe Ambasadori i Shqipërisë në KiE, Dastid Koreshi.

Kryetarja Spiropali dhe Sekretari i Përgjithshëm Berset, diskutuan mbi bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë me këtë organizatë të madhe europiane gjatë 30 vjetëve të anëtarësimit dhe kontributit të vendit tonë në Këshillin e Europës si edhe   kontributin aktiv të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare.

Diskutuan gjithashtu për mbështetjen e KiE dhe arritjet e  Shqipërisë në sundimin e ligjit, respektimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, fuqizimin e institucioneve dhe vlerave demokratike; avancimin e reformave drejt anëtarësimit në BE; bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe ndërkombëtare dhe mbështetjen e vendosur për Ukrainën.

Kryetarja Spiropali i transmetoi Sekretarit të Përgjithshën Berset kërkesën e Shqipërisë që Kosova, kjo demokraci e re dhe vibrante, meriton të pranohet sa më parë në KiE, si një faktor për bashkëpunimin, sigurinë dhe paqen në rajon.

Related Articles