Në mungesë kuorumi, sërish ka dështuar të mbahet seanca urgjente e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, e ftuar nga kryetari Alban Hyseni për të votuar buxhetin e vitit 2025.
Sipas njoftimi të komunës në seancë nuk kanë marrë pjesë partitë që janë në opozitë, LDK ja dhe PDK-ja.
“Në këtë seancë munguan këshilltarët e dy partive opozitare, LDK dhe PDK, dhe me këtë rast, kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu tha se me 13 këshilltarë prezentë, nuk ka kuorum për të filluar këtë seancë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë në njoftim theksohet se kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka paralajmëruar konferencë për media.
Komuna e Gjilanit është e vetmja që nuk ka miratuar buxhetin dhe ka kohë ta bëjë këtë vetëm deri më 1 mars, e në të kundërtën mund të organizohen zgjedhje të parakohshme për Kuvendin Komunal.
Përfaqësues të pushtetit qeverisës dhe të opozitës në Gjilan të enjten e javës së kaluar janë takuar me qëllim për t’i tejkaluar pengesat që kanë bërë që buxheti i Komunës për vitin 2025 të mos miratohet ende.