Përfaqësues i Institutit Demokratik të Kosovës (IDK), Eugen Cakolli, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të ofrojë informacion më të detajuar për qytetarët në lidhje me procesin e numërimit të votave.
Sipas Cakollit, qytetarët kanë nevojë për informacion të qartë dhe të saktë në lidhje me afatet dhe përfundimin e këtij procesi.
Në një postim në Facebook, Cakolli tha se qytetarët janë duke pritur për një informacion më të saktë nga KQZ për sa i përket kohës kur do të përmbyllet numërimi i votave.
“Sot është e premte dhe KQZ-ja po publikon informacion se sa vendvotime janë numëruar deri të mërkurën në mesnatë – informacion ky që tashmë është bërë i njohur për publikun”, shkruan Cakolli.
Ai theksoi se, ndonëse procesi i numërimit mund të duket i hapur dhe transparent, KQZ ka qenë jotransparente dhe jollogaridhënëse në komunikimin e saj me publikun.
Cakolli kërkoi nga KQZ që të shpjegojë pse nuk janë përditësuar të gjitha rezultatet në faqen e saj zyrtare dhe të ofrojë një plan të qartë për përfundimin e numërimit të votave.
Për më tepër, ai shtoi se KQZ duhet të informojë qytetarët se kur pritet të përmbyllet numërimi i mbi 75 mijë votave të mbetura dhe të shpjegojë ngadalësimin e procesit.