Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë, të cilat shënuan procesin e parë të rregullt zgjedhor që nga shpallja e pavarësisë më 2008, janë shoqëruar me vonesa të konsiderueshme në numërimin e votave dhe tensione të raportuara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), shkruan Gazeta Enigma.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është vënë në qendër të kritikave për mungesën e përgatitjes dhe menaxhimin e dobët të procesit, ndërkohë që incidentet e ndërhyrjes nga zyrtarë të partive politike kanë ngritur dyshime mbi integritetin e numërimit.
Vonesat: Arsyet dhe Pasojat
Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë nisi me një ditë vonesë, më 11 shkurt, dhe ka vijuar me një ritëm të ngadalshëm që ka alarmuar vëzhguesit dhe partitë politike. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numërimi filloi fillimisht vetëm në katër komuna – Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh – për shkak të nevojës për përgatitje teknike dhe administrative, ndërsa në 34 komunat e tjera procesi nisi më vonë. KQZ-ja e ka arsyetuar këtë vonesë me kompleksitetin e procesit të ri të numërimit, të parashikuar nga Ligji i ri për Zgjedhjet, i cili për herë të parë po zbatohet në këto zgjedhje. “Procesi është më i ndërlikuar dhe kërkon kohë shtesë për organizim,” ka thënë Elezi.
Megjithatë, kritikat nuk kanë munguar.
Organizata “Demokracia në Veprim” (DnV) i ka cilësuar vonesat si “të papranueshme” dhe ka paralajmëruar se ato dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Rënia e serverit dhe e faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, si dhe probleme me trajnimin e stafit, janë përmendur si faktorë shtesë që kanë kontribuar në këtë ngërç.
Analisti Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se, me ritmin aktual, numërimi mund të zgjasë deri në tre javë, një situatë e paprecedentë për zgjedhjet e rregullta, për të cilat KQZ-ja ka pasur gjashtë muaj kohë për t’u përgatitur.
Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve ka theksuar se KQZ-ja është përballur me “vonesa të konsiderueshme në përgatitje, në aspektin teknik dhe administrativ,” duke përmendur vështirësitë në prokurim dhe mungesën e trajnimit të duhur të personelit. Një kryesues i një qendre votimi në Prishtinë, i cili ka preferuar të mbetet anonim, e ka përshkruar procesin si “kaotik,” duke shtuar se trajnimet u mbajtën në kushte të dobëta, me qindra persona në një sallë pa mikrofon, vetëm një ditë para zgjedhjeve.
Incidentet në QNR: Ndërhyrjet e zyrtarëve të partive
Ndërkaq, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është kthyer në një vatër tensionesh, ku zyrtarë të partive politike janë përfshirë në incidente që kanë trazuar procesin. Një nga rastet më të raportuara ka ndodhur më 3 mars 2025, gjatë numërimit të votave me postë nga diaspora. Sipas mediave, një debat i ashpër ka shpërthyer mes Alban Krasniqit, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dhe Gani Gecit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). KQZ-ja ka konfirmuar praninë e Gecit në sallën e numërimit, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për incidentin. Ky rast ka ngritur pyetje për transparencën dhe kontrollin e procesit, duke shtuar dyshimet për ndërhyrje të mundshme partiake.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shkuar më tej, duke akuzuar për një “skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve” përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe “dështimeve të qëllimshme teknike.” Haradinaj ka kritikuar zëvendësimin e kuadrove profesionale me militantë partiakë dhe ka vënë në dyshim tenderët për kompanitë e teknologjisë informative. Megjithatë, ai nuk ka ofruar prova konkrete për këto pretendime.
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka dhënë detaje për rolin e numëruesve/komisionerëve dhe vëzhguesve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke hedhur dritë mbi ndarjen e përgjegjësive në procesin zgjedhor.
Sipas Ramës, numëruesit apo komisionerët në QNR dallojnë nga ata në vendvotime, pasi “janë personat e kontraktuar nga KQZ-ja dhe jo të deleguar nga subjekte politike në dallim prej komisionerëve në vendvotime si në Kosovë dhe Ambasada”. Ai theksoi se këta individë “janë përgjegjës për numërimin dhe vlerësimin e fletëvotimeve në QNR”, duke u bërë kështu shtylla kryesore e procesit të verifikimit të votave.
Nga ana tjetër, vëzhguesit, të cilët përfaqësojnë partitë politike, kanë një rol mbikëqyrës. Rama sqaroi se ata “janë përgjegjës për monitorimin e numërimit dhe kanë të drejt vetëm të vëzhgojnë dhe kërkojnë sqarime për vendimin e numëruesve”. Kjo do të thotë se vëzhguesit nuk ndërhyjnë drejtpërdrejt në proces, por shërbejnë si sy dhe veshë të partive për të garantuar transparencën.
Për më tepër, Rama shtoi se vëzhguesit kanë të drejtë të marrin pjesë aktivisht në mbikëqyrje duke thënë: “Ata mund të pyesin dhe të kërkojnë të bëjnë foto të fletëvotimeve apo të rezultateve e pastaj t’i përdorin këto për ankesat në PZAP”. Kjo mundësi u jep atyre mjetet për të dokumentuar çdo parregullsi të mundshme dhe për t’i adresuar ato përmes mekanizmave ligjorë, siç është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
PZAP-ja urdhëroi që 21 fletëvotime nga qendra të votimit të vlerësohen si të vlefshme dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar. Lwvizja Vetëvendosje ishte ankuar për disa fletëvotime, duke thënë se janë shpallur të pavlefshme.
“Sipas parashtruesit të ankesës, theksohet se konkretisht bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, votuesi duhet vetë ta shtypë/printojë fletëvotimin nga faqja zyrtare e KQZ-së. Në fletëvotimet përkatëse, gjatë këtij procesi të printimit, vërehet se fletëvotimet nuk janë printuar si të plota, ndonëse vërehet qartë qëllimi i votuesit. Por, meqë ky nuk është rasti dhe votuesi fillimisht ka printuar fletëvotimin në kushte shtëpie, e diktuar ndonjëherë nga formati i dërguar e specifikat krejt teknike e teknologjike, duhet të kihet parasysh se qëllimi i votuesit ashtu siç e përcakton edhe Ligji”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.
Hetimet nga Prokuroria
Nga Prokuroria, në një përgjigjje për Gazetën Enigma, thanë se ende nuk është hapur faza hetimore por se janë duke marrë informacione për parregullsitë në uebsajtin e KQZ-së dhe mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votave në konsullata dhe QNR.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë, se formalisht nuk është hapur hetim por jemi në fazën e grumbullimit të informacionit, sipas autorizimit të Prokurorisë.
Tani për tani nuk mund të ndajmë informacione më të detajuara për shkak të fazës me të cilën ndodhemi për momentin”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Rezultatet nga KQZ
Deri më 3 mars, KQZ-ja ka njoftuar se ka numëruar 169 nga 187 pakot e votave me postë, teksa më 5 mars(e mërkurë), është paraparë të përfundojë numërimi i votave me postë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se pret që të mërkurën (5 mars) të përfundojë numërimi edhe i votave të fundit, atyre me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara. Këtë ka bërë të ditur, Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi i cili tha se sot KQZ-ja do ta përmbyll procesin e numërimit përmes postës.
Elezi është shprehur po ashtu se sot ka nisur numërimi i votave me kusht.
“Në QNR është në përfundim e sipër procesi i numërimit nga votimi jashtë vendit, respektivisht votimi përmes postës. Pra gjatë ditës së sotme do të përmbyllim procesin e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës dhe gjithashtu në QNR ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe pastaj edhe votave të personave me nevoja të veçanta. Ky proces do të bëhet sot dhe presim të përfundojë nesër”, tha ai.
“Sot pritet të përfundojë procesi i votave me postë. Pastaj sot ka nisur edhe procesi i votave me kusht, e pastaj do të nis numërimi i votave të personave me nevojave të veçanta”, ka thënë Elezi.
Sipas të dhënave të fundit, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 51.70% të votave, e pasuar nga LDK me 30.15%, dhe Partia Demokratike e Kosovës me 9.52% të votave. /Gazeta Enigma/