Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Por, në kohën kur zyrtarët amerikanë sinjalizojnë zvogëlimin e mundshëm të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, lindin edhe pyetjet: a do të mbeteshin ushtarët amerikanë në KFOR, apo do të kërkonte administrata Trump favore në këmbim të tyre?
Nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes thonë për Radion Evropa e Lirë se, tash për tash, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre. Por, me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe me ndryshimin e prioriteteve globale, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar, thonë ish-zyrtarë të NATO-s.
“Secili ushtar i KFOR-it e kupton plotësisht dhe qartë detyrën e tij për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi më 25 qershor të 1999-ës komandanti i atëhershëm i misionit paqeruajtës të NATO-s, Mike Jackson.
Kjo forcë nisi të dislokohej në Kosovë atë muaj, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.
Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur me kalimin e viteve në rreth 4.600.
Më shumë se 25 vjet më vonë, misioni i saj mbetet i njëjtë: “ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë”, por e ardhmja e forcës disi e diskutueshme.
Një zyrtar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.
Por, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave.
“Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.
Si lindën pikëpyetjet për trupat amerikane në Evropë?
Ishte fillimisht sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili porositi Evropën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.
Gjatë një vizite në Varshavë, muajin e kaluar, Hegseth tha se e ardhmja e saj do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike amerikane.
“Kjo është arsyeja përse mesazhi ynë është kaq i ashpër për aleatët tanë evropianë. Tani është koha për të investuar, sepse nuk mund të supozoni se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”, tha ai më 14 shkurt.
Sipas një dokumenti që siguroi gazeta amerikane The Washington Post, Hegseth urdhëroi, gjithashtu, udhëheqësit e Pentagonit dhe të ushtrisë amerikane që të bëjnë plane për shkurtimin e buxhetit të mbrojtjes për 8 për qind, në secilin prej pesë vjetëve të ardhshëm.
Këtij debati, një element tjetër ia shtoi edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
Ai i kritikoi udhëheqësit evropianë për refuzimin e së djathtës ekstreme, ndërsa të ardhmen e trupave amerikane në Evropë e lidhi me politikëbërjen në kontinent.
Duke folur në Konferencën e Veprimit Politik Konservator më 20 shkurt, Vance tha se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse njerëzit atje mund të burgosen për postime fyese në mediat sociale.
“E gjithë mbrojtja e Gjermanisë subvencionohet nga taksapaguesit amerikanë”, tha ai.
Situata shkaktoi jo pak ankth në mesin e aleatëve këndej Atlantikut.
Njeriu që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se synim i tij do të jetë arritja e pavarësisë nga SHBA-ja në aspektin e sigurisë.
“Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Trump, edhe gjatë mandatit të parë si president, u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë që t’i rrisin ndjeshëm kontributet e tyre financiare në mbrojtje.
I pyetur gjatë një konference me gazetarë, më 18 shkurt, se a do të ishte i gatshëm të konsideronte tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Evropa, në kuadër të një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për paqe në Ukrainë, Trump tha:
“Askush nuk më ka kërkuar ta bëj këtë. Nuk mendoj se duhet ta bëjmë. Nuk do të doja ta bëja”.
Prania e trupave amerikane në Evropë
Shtetet e Bashkuara kanë disa baza operative dhe ushtarake në Evropë.
Numri më i madh i ushtarëve amerikanë – mbi 35.000 – është i dislokuar në Gjermani.
Ky vend, njëherësh, ka edhe bazën më të madhe ajrore amerikane – Ramstein – ku janë të vendosur mbi 16.000 ushtarakë, civilë e kontraktorë.
Përveç përforcimit të përkohshëm në fillim të luftës së Rusisë në Ukrainë, prania ushtarake amerikane në Evropë ka shkuar duke u zvogëluar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Sipas Komandës Evropiane të SHBA-së, numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë është luhatur mes 75.000 dhe 105.000 që nga viti 2022.
Prej tyre, aktualisht, rreth 63.000 forca janë të dislokuara në mënyrë të përhershme, ndërsa të tjerat janë me rotacion.
Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 600 ushtarë në kuadër të misionit KFOR, në krahasim me mbi 5.000 sa kishin në ’99-tën.
Nga ai vit kanë edhe kampin Bondsteel, i cili gjendet pranë Ferizajt, në juglindje të Kosovës, dhe shërben si baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.
Çka thotë NATO-ja?
Radio Evropa e Lirë pyeti NATO-n se a ka ndonjë plan për të siguruar që prania e KFOR-it në Kosovë mbetet e pandryshuar, në vazhdën e reduktimit të mundshëm të trupave amerikane në Evropë.
Në përgjigjen që mori, mes tjerash, thuhet se “zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë”.
Aty, po ashtu, thuhet se SHBA-ja i ka bërë të qarta pritjet e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë, “në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët”.
“NATO-ja vazhdimisht i përshtatet mjedisit që ndryshon… KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha një zyrtar i NATO-s dhe shtoi se “SHBA-ja vazhdon të luajë një rol themelor” brenda misionit KFOR.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, më 4 mars, se Evropa po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike dhe se “angazhimi i përbashkët me KFOR-in dhe NATO-n mbetet thelbësor”.
“Jini të përgatitur”
Shea, i cili ka shërbyer në role të ndryshme në NATO deri në tërheqjen e tij në vitin 2018, nuk pret ndryshime të menjëhershme në praninë e trupave amerikane në Evropë, e rrjedhimisht as në Kosovë, por thotë se situata mbetet e pasigurt dhe duhet vëzhguar me kujdes.
Sipas tij, kontingjenti amerikan në Kosovë është i vogël dhe “nuk është barrë e madhe financiare për SHBA-në, në krahasim me forcat amerikane në Gjermani apo Poloni”.
Ai gjithashtu kujton se Trump, në të kaluarën, “është përpjekur ta luajë paqebërësin mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe thotë se trupat amerikane në Kosovë “i japin SHBA-së një levë më të madhe në këtë rol”.
“Por, Trump është transaksional dhe ai mund ta pyesë Kosovën se çfarë favoresh mund t’i ofrojë për t’i mbajtur trupat [amerikane] në Kosovë – sidomos në formë të marrëveshjeve biznesore dhe mundësive për investime. Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea.
Për më tepër, shton ai, zvogëlimi i buxhetit të Pentagonit do ta detyrojë me doemos ushtrinë amerikane të bëjë kursime dhe t’i rishpërndajë burimet e saj.
Pse është e rëndësishme prania e NATO-s në Kosovë?
Gati 26 vjet pas përfundimit të luftës dhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk njihet nga Serbia dhe marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara.
Ndonëse janë në negociata për normalizimin e tyre qysh në vitin 2011, shteti fqinj vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të veten.
Pas një sulmi të armatosur në veri të vendit, më 2023, autoritetet kosovare e akuzuan atë për tentim aneksimi të kësaj zone të banuar me shumicë serbe.
Serbia mohoi se kishte gisht në atë sulm, por grumbulloi për disa ditë trupa ushtarake në kufi me Kosovën.