Trupi i pajetë i një personi është gjetur mëngjesin e kësaj të enjteje nga punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve.
Ata kanë konstatuar viktimën gjate punës rutinë që kryejnë në këtë aks dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë.
Ai është gjetur pa shenja jete në kryqëzimin e rrugës ku ndahen aksi i rrugës së Kombit me segmentin drejt Lezhës.
Trupi i pajetë është gjetur pranë trafikndarëseve, dhe menjëherë është njoftuar policia e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Dyshimet e para janë se viktima mund të ketë humbur jetën si pasojë e përplasjes nga automjetet, por gjithsesi pritet kryerja e autopsisë për të të përcaktuar shkaqet e vdekjes së tij.
“Rreth orës 08:50, është gjetur në trafikndarësen e autostradës “Milot-Thumanë”, në fshatin Shullaz, një trup njeriu, i dekompozuar. Nga verifikimet paraprake dyshohet se trupi i përket shtetasit E. N., 49 vjeç, banues në Laç. Gjithashtu, nga veprimet paraprake dyshohet se ky shtetas e ka humbur jetën para disa muajsh, si pasojë e një aksidenti rrugor. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e shkakut të vdekjes së këtij shtetasi”, sipas policisë.