Vetëm 18 kandidatëve për deputetë prej 110 sosh në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë pasur ndryshime në vota, bazuar në rezultatet e rinumërimit të votave të kësaj komune në qytetin e Vushtrrisë.
Ditë më parë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi rinumërimin e votave të LDK-së në Vushtrri pas ankesës së pranuar të kandidates për deputete Rrezarta Krasniqi, që akuzoi bashkëpartiakun Xhafer Tahiri për manipulim me vota.
Sipas të dhënave të siguruara nga Koha, ndryshime në vota ka pasur në listë te 92 kandidatë. Kandidatit Tahiri iu hoqën 88 vota e një votë iu hoq edhe Krasniqit që u ankua.
Nga vendvotimet në Vushtrri, LDK-ja ka marrë gjithsej 3837 vota apo 11.25 për qind dhe doli e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.