Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, i cili sot pritet të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ka thënë se janë në komunikime të vazhdueshme me krerët e shtetit në Kosovë dhe ata në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që tensionet në rajon të ulen.
Ai në një intervistë për për Al Jazeera Balkans, tha se Kosova është një shtet shumë i rëndësishëm, ku prania e NATO-s është e fortë, përmes trupave të KFOR-it.
“Kosova është vend shumë i rëndësishëm, ku NATO ka prezentë të fortë përmes KFOR-it. Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë që ky shtet të jetë në situatën më të mirë të mundshme. Atje ka pasur zgjedhje dhe do të shohim si do të formohet Qeveria e re. Gjithë kjo është pjesë e një procesi normal demokratik, gjë që është e mirë. Por në të gjithë rajonin situata po ndryshon. Jam në komunikime intensive, jo vetëm me krerët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, por javën e kaluar kam biseduar edhe me Vuçiqin, që javën tjetër pritet të jetë së shpejti në Bruksel. Pra, komunikimet janë intensive që tensionet në rajon të ulen”.