Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për European Western Balkans, ka folur për Marrëveshjen e Washingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nën ndërmjetësimin e presidentit Donald Trump, e të nënshkruar nga ish-kryeministri, Avdhullah Hoti, e presidenti serb, Aleksander Vucic.
Kurti për EWB thotë se duhet qenë të kujdesshëm me Marrëveshjen e Washingtonit, meqë sipas kryeministrit të Kosovës, disa pika në marrëveshje janë problematike, këtu ka përmendur moratoriumin një vjeçar për të mos lobuar për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare.
Gjithashtu Kurti në këtë intervistë mohon të ketë thënë që thjesht s’do ta marrë parasysh të gjithë marrëveshjen e Washingtonit, derisa shton se njohja nga Izraeli është pika më e vlefshme e marrëveshjes.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, ka rikujtuar edhe faktin që Serbia nuk po iu përmbahet zotimeve, duke përmendur refuzimin për zhvendosje të ambasadës nga Tel Aviv në Jerusalem.
“Unë jam një nga liderët që e kanë mbështetur presidentin Biden, të kundërtën e presidentit Vucic, i cili ka lobuar fortë për presidentin Trump. Unë s’kam thënë që atë që është nënshkruar në Washington do ta hudhi thjeshtë tutje, jo të gjithën. Pika e fundit, që ishte njohja e Izraelit për Kosovën është implementuar dhe është pjesa më e vlefshme e marrëveshjes. Ju duhet ta dini që dy tekstet nuk janë të njëjta. Për shembull, në tekstin e palës serbe, ishte shkruar që ambasada do të zhvendoset nga Tel Aviv në Jerusalem, por s’ndodhi siç ishte supozuar. Kështu që, dy tekste të ndryshme, dy zotime të njëanshme. Ne nuk duam që ta neglizhojmë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse janë disa pika problematike për kushtetutën tonë e që janë nënshkruar si zotime nga kryeministri paraprak. Vetëm sa për ta përmendur, fakti që ne nuk jemi duke lobuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Albin Kurti për EWB.
Kryeministri Kurti pasi ishte rrëzuar nga pushteti herën e parë, kishte deklaruar se kur të vinte në pushtet nuk do ta ratifikonte në Kuvend një marrëveshje të tillë.
“Ne nuk kemi detyrime për zotimet e kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë. Ndërmjetësit duhet të përmbahen nga nxitja e marrëveshjeve që shkaktojnë përçarje të mëtejshme midis Kosovës dhe Serbisë. Vetëm dialogu parimor dhe i përgatitur mirë çon në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme”, kishte shkruar Albin Kurti në Twitter.
Për këtë në shtatorin e vitit 2020 i kishte reaguar Richard Grenell, atë kohë emisar presidencial për dialogun, duke e quajtur Kurtin si kundërshtar të Amerikës.