Osmani: Ka përfunduar koha kur Serbia pyetet për çkado, veç ajo e rrezikon paqen e rajonit

Osmani: Ka përfunduar koha kur Serbia pyetet për çkado, veç ajo e rrezikon paqen e rajonit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklarimeve të shtetit serb lidhur me memorandumin mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë për aleancë ushtarake, raporton gazeta Enigma.

Ajo madje i ka quajtur “qesharake” deklarimet e tyre.

“Është interesante që historikisht shtetet agresore si Serbia dhe Rusia vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima. Nëse i shihni deklarimet e tyre qesharake përkundër faktit që kanë një histori pushtimesh, sulmesh, gjenocidi, luftërash që i kanë shkaktuar vetë, shtetet agresore si Serbia e Rusia paraqiten se kinse po i sulmojka ata. Ne kurrë nuk e kemi sulmuar askënd, kurrë nuk kemi tentuar ta pushtojmë asnjë centimetër të një territori të dikujt tjetër. Por në historinë e kombit tonë, shqiptarët dhe Kosova gjithmonë e ka mbrojtur vetveten dhe do vazhdojmë ta mbrojmë sovranitetin tonë, integritetin territorial, shtetësinë. Marrëveshja trelaterale synon këtë që t’i ndihmojmë njëra-tjetrës për t’i rritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur veten e jo ta sulmojmë dikë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se “Serbia nuk pyetet më për asgjë dhe se ajo është e vetmja që e rrezikon rajonin”.

“Kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë kohët kur Serbia pyetet për çkado qoftë. Ne jemi shtet sovran, i pavarur, vendimet i marrim vetë në përputhje me interesat tona dhe me synimin paqen dhe stabilitetin në rajon, synim që rrezikohet vetëm nga Serbia, askush tjetër”.

Memorandumi trilateral parasheh që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia të forcojnë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisinbashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojnë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.

Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë, nga tre ministrat homologëtë Mbrojtjes: Pirro Vengu, Ejup Maqedonci dhe Ivan Anushiq.

Memorandumi irritoi fortë Serbinë

Të menjëhershme kanë qenë reagimet nga shteti serb për këtë ujdi, duke luajtur rolin e viktimës dhe targetit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se tri shtetet kanë hapur “garë armësh” dhe se “do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”.

Në përgjigje të kësaj, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia thanë se Serbia e agresioni nuk përmenden askund, dhe se memorandumi ka të bëjë me vetëmbrojtje.

Me dy anëtare të NATO-s, FSK-ja fuqizohet

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazetën Enigma se aleanca mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes rajonale.

“Duke pasur parasysh që Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, kjo marrëveshje i hap Kosovës mundësi më të mëdha për të përfituar nga përvoja, kapacitetet dhe standardet e aleancës së Atlantikut të Veriut”, tha Shala për “Enigmën”. 

Shala argumenton se për Kosovën, një bashkëpunim i tillë është veçanërisht i rëndësishëm për disa arsye:

Zhvillimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK)

Partneriteti me dy vende të NATO-s mund të ndihmojë në modernizimin dhe aftësimin e mëtejshëm të FSK-së, duke e bërë atë më të gatshme për sfida të ndryshme të sigurisë. 

Kosova, më afër NATO-s

Një bashkëpunim më i ngushtë në fushën e mbrojtjes me dy vende fqinje rrit ndjenjën e sigurisë për Kosovën dhe kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm në Ballkan, thotë Shala.

Eksperti i sigurisë tutje tha se marrëdhëniet e ngushta me dy vende anëtare të NATO-s, siç janë Kraocia dhe Shqipëria, e afrojnë atë më shumë me objektivin për t’u anëtarësuar në organizatën euro-atlantike. 

“Reagimet e Serbisë janë të pritshme, pasi çdo bashkëpunim i Kosovës me vende të NATO-s është parë tradicionalisht me skepticizëm në Beograd. Megjithatë, kjo nuk duhet të shihet si një provokim, por si një hap i natyrshëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Në një kontekst më të gjerë, një aleancë e tillë është në përputhje me interesat strategjike të NATO-s në rajon dhe përmirëson kapacitetet e mbrojtjes kolektive”, përfundoi Shala në një prononcim për Gazetën Enigma./ Gazeta Enigma.

Related Articles