Shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas e pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha gjatë një konference për media se “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt.
“Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt BE-së”, tha Kallas.
Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.
Me gjithë dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.
Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 2 prill, ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.
“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim”, kishte thënë Kallas.
Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill është duke e vizituar disa shtete në Ballkanin Perëndimor