Nga ora 9:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot mbahet seanca e parë për rastin e sulmit në Banjskë, kundër Vlladimir Tolliqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Dushan Maksimoviqit.
Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit shtatorin e vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati.
Prokuroria më 9 tetor të vitit të kaluar, në seancën përgatitore, kërkoi që gjykimi të nisë edhe për të akuzuarit që nuk ndodhen në Kosovë, por avokatët mbrojtës theksuan se diçka e tillë nuk lejohet nga ligjet e Kosovës.
Gjyqtari Arben Hoti kërkoi një mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit, që konstatoi se kjo çështje është “e drejtë diskrecionale” e gjyqtarit.
Një vendim i tillë ende nuk është marrë.
Ndryshe, në seancën përgatitore të 9 tetorit 2024, dy të akuzuarit, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, refuzuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit, ndërsa Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.