Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që t`i lirojë nga detyra ministrat që janë zgjedhur deputet, teksa ka potencuar se “duhet të ndiqet standardi që ka krijuar ai në vitin 2017”.
Mustafa ka treguar se në vitin 2017 kishte liruar nga detyra ministria që kishim marrë mandatin e deputetit.
Ndonëse aso kohe nuk kishte Ligj për Qeverinë, ai ka sqaruar se këtë vendim e kishte marrë duke u bazuar në dy parime kushtetuese.
“Në vitin 2017 është vepruar mbi bazën e parimeve kushtetuese, të përmbajtura në nenet 70 dhe 72 të Kushtetutës. I pari përcakton se mandati i deputetit fillon ditën e certifikimit, ndërkaq i dyti, mospërpuethshmërinë e mandatit të deputetit me pozitat ekzekutive… Nuk ka ekzistuar Ligji për Qeverinë. Duke e respektuar Kushtetutën, ministrat që janë zgjedhur deputetë i kam liruar me vendim individual, veç e veç nga pozita e ministrit dhe kam emëruar ministra tjerë deri në dorëzimin e mandatit qeverisë në ardhje”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se në të njëjtën mënyrë duhet të veprojë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
“Unë nuk kam qenë deputet, andaj nuk kam dhënë dorëheqje. Z. Kurti do duhej ti lirojë ministrat ekzistues, që kanë marrë mandat të deputetit ditën e certifikimit dhe ti zëvendësojë. Meqenëse ai është certifikuar për deputet, do duhej të kërkojë mendim nga Zyra Ligjore e Qeverisë dhe ajo e Kuvendit për mënyrën e dorëzimit të detyrës zëvendësit të tij. Në të ardhmen ky vakum ligjor do duhej të rregullohet me ndryshim dhe plotësim të Ligjit mbi Qeverinë”, ka vlerësuar Mustafa për Nacionalen.
Ish-kryeministri ka vlerësuar se ministrat që janë zgjedhur deputet dhe nuk kanë dhënë dorëhejqe janë duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, ata janë në shkelje të aktit më të lart juridik dhe politik të vendit që nga dita e certifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja.
“Në bazë të leximit të Kushtetutës, anëtarët e qeverisë që janë zgjedhur deputet, në ushtrimin e detyrës së tyre janë në shkelje ligjore dhe kushtetuese nga dita e certifikimit, jo nga dita kur iu verifikohet mandati”, është shprehur Mustafa.
Ish-kryetari i LDK-së ka ftuar deputetët e legjislaturës së nëntë që këtë çështje të adresojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
“Dhënia e dorëheqjes tani nuk e korrigjon retroaktivisht shkeljen. Kuvendi do duhej të konstituohet, kurse shumica e deputetëve që me të drejtë po bëjnë vërejtje, këtë çështje ta procedojnë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Mustafa.
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk po arrin të konstituohet për faktin se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tij që janë zgjedhur deputet po refuzojnë të jep dorëheqje nga pozitat e tyre.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk po e votojnë Raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve të deputeteve pa dhënë dorëheqje Kurti dhe ministrat që janë zgjedhur deputet.
Sipas tyre, nëse raporti do të votohej ata do të bënin shkelje kushtetuese.