Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri të ditur se nga mostrat e ujit, të marra në Deçan më 12 korrik, janë identifikuar disa baktere që “mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.
Lidhur me këtë ka reaguar KRU ‘Hidrodrini’.
Kompania në fjalë, përmes një komunikate ka thënë se pas raportit të sotëm të IKSHPK-së dhe 10 rekomandimeve që kanë dalur nga ky raport, KRU ‘Hidrodrini’ ka urdhëruar të gjitha Njësitë Operative të Zonës së Mbulueshmërisë, që nga mëngjesi të fillojë implementimi i rekomandimeve të reja në fjalë që burojnë nga raporti i pasditës i publikuar nga IKSHPK.
Sipas tyre, rekomandimet në fjalë nga ana e IKSHPK-së, nuk kanë arritur zyrtarisht por kanë dëgjuar përmes mediave.
“Hidrodrini” lut IKSHPK-në, që të ofrojë sqarime shtesë se cilat mostra të ujit janë marrë, pra a bëhet fjalë për mostra nga sistemi i KRU ‘Hidrodrini’ dhe inkurajojmë që mostra të merren edhe në bunare (puse), nëse nuk janë marrë, e të cilat përdoren nga banorët vet.
Kompania thotë se derivat i këtyre 10 rekomandimeve të publikuara, KRU ‘Hidrodrini’ ka ngritur menjëherë pasdite, tre ekipe specifike profesionale siç janë; Ekipi i kualitetit të ujit në të gjitha pikat e kontrollit, (ku do të ri-kontrollohet për klorinim). Ekipi i kontrollit dhe identifikimit të bunareve të cilat janë kyçur paralelisht në sistemin përkatës. Po ashtu ekipi i inspektimit të gropave septike apo të ndonje rrjeti të ujërave fekal.