Nëse jo Haxhiu, kush tjetër? PDK e LDK nuk japin emra – Sot vazhdon saga

Nëse jo Haxhiu, kush tjetër? PDK e LDK nuk japin emra – Sot vazhdon saga

Zgjedhja e kryeparlamentarit në Kuvendin e Kosovës është shndërruar tashmë në një sagë, pas tentativës së katërt të pasuksesshme, shkruan Gazeta Enigma.

Përkundër dështimit të zgjedhjes së Albulena Haxhiut në këtë pozitë, LVV-ja duket se nuk po lëshon pe që ta ndërroj kandidatin.

Emri i Albulena Haxhiut po del të jetë problem për partitë e tjera, të cilat po kërkojnë një emër më unifikues për këtë pozitë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, të hënën pas seancës së ndërprerë, tha se nuk do e votojnë për kryeparlamentare “dikë që ka dështuar për katër vjet në postin e saj ministror”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po del të jetë edhe më i ashpër, pasi tha se nuk do e votojnë asnjë emër nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentar.

Ndërkohë sot për herë të pestë do të tentohet që Albulena Haxhiu të votohet në Kuvendin e Kosovës. Seanca nisë nga ora 10:00.

LEXO EDHE: Ngërçi i Kuvendit – A do të zhbllokohet sot situata?

Ndërkohë, Ramush Haradinaj i AAK-së propozoi Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimi, si emra unifikues që do të votoheshin nga kjo parti.

Qëndrimin e PDK-së për Haxhiun e konfirmoi edhe deputeti Rashit Qalaj në një prononncim për Gazetën Enigma.

“Haxhiu me gaz lotsjellës ka sulmuar Kuvendin dhe e ka shkelur Kushtetutën”

Qalaj tha se PDK nuk mund ta votojë për kryeparlamentare dikëqë “ka zvogëluar fondet për Hashim Thaçin dhe të akuzuarit e tjerë në Hagë, ka shkelur Kushtetutën me ligje anti-kushtetuese e ka sulmuar Kuvendin me gaz lotsjellës”.

“Kandidatja që është propozuar, është një kandidate që ka zvogëluar fondet për Hashim Thaçin me shokë që janë në Hagë, është një kandidate e cila ka shkelur Kushtetutën disa herë me ligje anti-kushtetuese, është kandidate që më herët me gaz lotsjellës ka sulmuar Kuvendin nga brenda. As që duhet të diskutohet çështja e saj”, tha Qalaj për “Enigmën”.

“Është shkatërruar çdo lloj mënyre e komunikimit nga partia që ka qenë në pushtet dhe nuk ka mbetur as edhe një element që mund të na bashkojë, për shkak se për katër vite, as edhe minimumi i një kulture të komunikimit nuk ka ekzistuar në raport me opozitën”, u shpreh tutje Qalaj.

LDK: Nuk do marrim pjesë as në takime me VV-në e do votojmë kundër

Nënkryetari i pari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se deri më tani nuk ka pasur ftesë nga LVV-ja për të arritur marrëveshje për kryeparlamentarit, por edhe nëse do ketë ftesë, “LDK-ja nuk do marrë pjesë”.

“Jo, nuk ka pasur ftesë dhe edhe nëse do ketë, ne nuk do marrim pjesë. Ne e kemi konfirmuar se nuk do marrim pjesë në takime politike”, tha Haziri për Gazetën Enigma.

I pyetur se nëse ka ndonjë emër që do ta përkrahnin nga LVV, Haziri tha se “puna e lakimit të emrave është bërë karikaturë”.

“Dalja e disa deputetëve duke lakuar emra nuk i bën nderë zgjidhjes së çështjes për konstituimin e Kuvendit”.

Tutje Haziri tha se i takon partisë së parë që ta bëj propozimin, ta ndërtojnë procesin dhe të vijnë tek një konsensus më i gjerë.

“Ne votojmë kundër, është pjesëmarrje në votim. Ata e kanë mundësinë me diskutu edhe me 100 deputetë të tjerë, për me i arritë votat”, deklaroi në fund Haziri.

“LVV po synon të mos e fusë Kryeparlamentarin në diskutimet për koalicion”

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, thotë për Gazetën Enigma se Vetëvendosje qëllimisht po mundohet që ta emërojë Kryeparlamentarin me votat e të gjitha partive, në mënyrë që kjo pozitë të mos vihet në diskutimet që do bëhen për koalicion.

“Unë mendoj se topi është në fushën e Vetëvendosjes për momentin, pra unë nuk e kisha quajtur bllokim, por është një lloj fitim i kohës në këtë fazë. Pra, LVV mund ta bëj me qëllim nëkëtë fazë, këtë trip, për shkak që dëshiron që pozitën e Kryetarit të Kuvendit, mos ta ketë në negociata me partitë të cilat po negocion, për me e bo Qeverinë. Qëllimi i Albin Kurtit është që Kryetarin e Kuvendit ta kalojë edhe me votat e subjekteve të tjera, pa një marrëveshje, e pastaj ta bëj Qeverinë”, tha Drenori.

Sipas Drenorit, LVV-së i mbetet që ta pranojë koalicionin me Nismën, pasi që ndryshe vendi shkon në zgjedhje.

“LVV po e ngadalëson këtë proces, pasi është e vetëdijshme se nuk kanë mbetë shumë alternativa. Alternativa është që ta bëj e vetme Qeverinë, me minoritetet joserbe dhe me Nismën, ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi dihet që LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e një Qeverie jetëshkurtër me opozitën e deritanishme, deri në zgjedhje të Presidentit”.

Memli Krasniqi i PDK-së të hënën ka deklaruar se janë edhe 47 emra të tjerë që mund të propozohen për kryeparlamentar. Drenori thotë se LVV duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi.

“Krasniqi duket se është i gatshëm që me një marrëveshje gjentile, pra pa një ndarje të pushtetit, ta votojnë Kryetarin dhe Kryesinë, me qëllim që t’i hapet rrugë pastaj krijim të Qeverisë, ku do të shohin nëse VV i ka apo nuk i ka numrat”.

“Sepse në këtë fazë, meqë kemi vakuum ligjor, VV mund ta ripërsëritë këtë marifet, pra me nominimin dhe moskalimin e emrit, pra si kryetari i Kuvendit për një kohë të pacakuar. Kjo situatë i konvenon VV-së, por kësaj partie po ashtu i takon ta gjejë zgjidhjen për zhbllokim”.

Të mërkurën, tentativa e pestë për konsitutuim

Të mërkurën 120 deputetët do të mblidhen sërish, në tentim për të zgjedhur kryeparlamentarin. Mbetet të shihet nëse LVV do e ketë propozimin e njëjtë për këtë pozitë apo nëse do propozojë një emër të ri.

Gjithashtu mbete të shihet nëse partitë e tjera do të votojnë pro apo kundër.

Ligji nuk parasheh ndonjë rrugëdalje në situatë të tillë, çka ka bërë që disa njohës të paralajmërojnë se një krizë e tillë mund të vazhdojë deri në zgjedhjen e presidentit vitin e ardhshëm. /GAZETA ENIGMA

Related Articles