Osmani: Nuk duam ndere e as shkurtesa, por procese meritore dhe integrim

Osmani: Nuk duam ndere e as shkurtesa, por procese meritore dhe integrim

Presidentja Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje  të thellë për përkrahjen historike dhe të vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës.

Ajo bashkë me presidentin finlandez Alexander Stubb,  pas takimit e ka mbajtur një konferencë për media.

“Jam posaçërisht e nderuar që të jem në Finlandë, vendlindjen e të ndjerit Ahtisaari që është figurë madhore e paqes, lidershipi i të cilit e ka ndihmuar shtrimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës. Trashëgimia e tij mbetet gjithsesi e ndërthur në vet indin e Republikës sonë të sotme”, tha Osmani.

Osmani theksoi se populli i Kosovës do ta ruajë gjithmonë në zemër mirënjohjen për atë që Ahtisaari dhe Finlanda kanë bërë për Kosovën.

E para e shtetit të Kosovës, veçoi miqësinë si një lidhje që nuk i takon vetëm së kaluarës, por është e gjallë, në rritje dhe e përqendruar në të ardhmen.

“Jemi krenar që t’ju quajmë një prej partnerëve tanë më të afërt dhe gjithsesi përkrahja finlandeze ka qenë afatgjatë edhe përmes kontributit në misionin e KFOR-it. Mbi 7 mijë ushtarë finlandezë, burra e gra kanë ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, shtoi ajo.

Vjosa Osmani, me homologun finlandez, patën një diskutim të frytshëm mbi ndërtimin e marrëdhënieve edhe më të afërta mes popujve dhe shteteve tona.

Osmani e lidhi këtë me historitë e ngjashme të të dy vendeve përballë shtypjes dhe luftës për liri.

“Si dy vende që kemi pasur vështirësi historike kundër shtypjes e dimë shumë mirë çmimin e lirisë dhe mu për këtë Kosova dhe Finlanda kanë qëndruar të palëkundura me Ukrainën që nga dita e parë e pushimit rus. Pra, vendet tona duhet të vazhdojnë të ngritin zërin kundër ambicieve territoriale të Rusisë dhe mendësisë imperialiste të saj, duke stabilizuar kështu edhe arritjet tona institucionale”, deklaroi ajo gjatë konferencë së përbashkët.

Presidentja Osmani u ndal edhe te proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Ajo theksoi përkushtimin e vendit ndaj vlerave demokratike dhe respektimit të ligjit.

“Kosova sot ka nivelin më të lartë të demokracisë, sundimit të ligjit dhe është midis ekonomive me arritjen më të shpejtë në rajonin tonë”, tha ajo, duke rikujtuar se përkundër përputhshmërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, anëtarësimi në Këshillin e Evropës ende është në shqyrtim.

“Nuk duam ndere, nuk duam shkurtesa, thjesht duam procese meritore, integrim dhe përputhshmëri me vlerat evropiane, për të cilën gjë kemi pasur përkrahje nga Finlanda nga dita e parë,” theksoi Osmani, duke përgëzuar gjithashtu Finlandën për anëtarësimin historik në NATO, që sipas saj e ka bërë Evropën më të sigurt.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit të sigurisë, Osmani bëri me dije se sot i ka propozuar homologut të saj finlandez një marrëveshje më gjithëpërfshirëse ushtarake dhe të mbrojtjes mes dy vendeve.

“Do të ishte hap i natyrshëm, kur demokracitë tona duhet të qëndrojnë krah për krah dhe do ta pasqyronte bashkëpunimin bilateral”, shtoi ajo.

Në konferencë, ajo foli për raportet me Serbinë, ku theksoi se Kosova ka zgjedhur dialogun si mjetin e vetëm për të zgjidhur çështjet e mbetura, duke potencuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.

“Fqinji ynë nuk beson në këto parime, por i kemi zgjatur dorën tonë të bashkëpunimit, pasi duam të sigurohemi që fëmijët tanë, gjenerata e parë që ka njohur vetëm paqe e jo luftë, të mos kalojë më asnjëherë ato që i kemi kaluar ne”, nënvizoi Osmani.

Në përmbyllje të adresimit të saj presidentja Osmani falënderoi Finlandën për mikpritjen dhe për përfshirjen e suksesshme të diasporës së Kosovës, duke rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur, krenar për identitetin, historinë dhe potencialin e vet, rininë brilante për të ofruar mundësi të reja bashkëpunimi.

Related Articles