“Ping-pongu” i partive për bllokadën institucionale – Zgjedhjet e reja në horizont?

“Ping-pongu” i partive për bllokadën institucionale – Zgjedhjet e reja në horizont?

Pas miratimit të raportit për verifikimin e mandateve dhe betimit të deputetëve, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për herë të pestë të mërkurën, pas dështimit të radhës për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dhe partitë opozitare po “luajnë” ping-pong, duke ia hedhur fajin njëra-tjetrës për bllokadën e krijuar, shkruan Gazeta Enigma.

LVV, e cila këmbëngul që deputetja e saj, Albulena Haxhiu, të jetë kryetare e Kuvendit, ka kërkuar marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje, si dhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të legjislativit.

Emri i Haxhiut për kryeparlamentare është kundërshtuar vazhdimisht nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, të cilat e vlerësojnë Haxhiun si “kandidate të padenjë” për këtë pozitë.

Nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje apo kompromis për votimin e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij, rrezikohet bllokimi i konstituimit të këtij institucioni ligjvënës, duke futur vendin në një ngërç institucional.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar zyrtarisht për vazhdimin e seancës konstituive, e cila do të mbahet të premten në orën 10:00 në Sallën Plenare.

Pas dështimit të radhës për votimin e kryeparlamentares, ka reaguar deputeti i LVV-së, Hekuran Murati.

Ai ka thënë se “bllokuesit e procesit” janë pikërisht opozita, duke i ftuar ata që të reflektojnë:

“Po e shohim kush po bllokon, po dalin të pavërteta pretendimet e mëhershme. Opozita po bllokon.”

“I bëjmë thirrje edhe një herë partive opozitare që të reflektojnë”, përfundoi ai.

Zgjedhjet në horizont?

Partitë duhet të arrijnë një marrëveshje për të formuar qeverinë, por nëse dështojnë, zgjedhjet e reja mund të jenë të pashmangshme.

Bllokimi aktual duket se mund të zgjasë, dhe zgjedhjet e reja mund të jenë një opsion për të dalë nga kriza.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, deklaroi për Gazetën “Enigma” mënyrën se si vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, nëse nuk arrihet marrëveshja në seancën e re konstituive.

“Në bazë të nenit 82 të Kushtetutës së Kosovës, dikush edhe mund të propozojë të shkohet në zgjedhje. Gatishmërinë e kanë shprehur edhe disa të tjerë. Parlamenti mund të shpërndahet me votën e 2/3 dhe pastaj i mbetet presidentes së vendit, me dekret, të shpallë zgjedhjet e reja,” tha Baraliu.

Mirëpo, sipas tij, shkuarja në zgjedhje të reja nuk shihet si zgjidhje për këtë ngërç politik.

“Nuk mendoj se zgjedhjet e reja mund të jenë një zgjidhje për situatën politike që është krijuar. Përkundrazi, ato mund të sjellin vetëm vazhdim të problemit, të cilat mund të ridimensionohen dhe thellohen edhe më shumë. Mbi të gjitha, kjo gjendje amorfe e vendit do të zgjatet,” shtoi ai.

Tutje, ai theksoi se deputetët nuk kanë vullnetin për të shkuar në zgjedhje të reja:

“Unë mendoj që deputetët nuk kanë vullnet për zgjedhje të reja. E kanë pasur goxha vështirë të fitojnë mandatet. Kanë edhe vullnet, por edhe përgjegjësi për të qenë pjesë e zgjidhjes së problemit, për ta ndihmuar vendin të konsolidohet. Shkuarja në zgjedhje të reja nuk i konvenon askujt, përkundrazi mund t’u kthehet si bumerang, me pasoja e kosto të mëdha,” përfundoi ai.

Ndërkaq analisti politik, Blerim Burjani, tha për “Enigmën” se edhe zgjedhjet e parakohshme janë një opsion për të dalë nga kriza institucionale.

“Po, nëse nuk ka asnjë zgjidhje nga ngërçi, atëherë zgjedhjet mbeten opsion, por mungon vullneti politik,” tha ai.

Burjani theksoi se nëse mbahen zgjedhje të reja, pjesëmarrja do të jetë më e ulët, dhe mbajtja e tyre, të paktën për një vit, nuk do të ishte e këshillueshme.

“Pjesëmarrja e elektoratit ka rënë në 39%-40%. Nëse mbahen zgjedhje të reja, mund të ketë pjesëmarrje edhe më të ulët, rreth 38%. Rezultati zgjedhor nuk do të jetë i njëjtë: VV mund të humbasë më tej, PDK mund të mbetet aty ku është ose të rritet eventualisht me 2%, LDK mund të rritet me 2%. Pra, opozita mund të forcohet. AAK dhe NISMA nuk e kalojnë pragun. Prandaj, nuk do të ishte mirë të shkohet në zgjedhje, të paktën për një vit. Më tej, situata është e pasigurt,” tha ai.

Avokati Gazmend Halilaj gjithashtu pohoi se zgjedhjet e parakohshme janë një opsion real, por se pjesëmarrja do të ishte shumë më e ulët se ajo në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Gjasat janë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por përveç shpenzimeve marramendëse dhe dëmeve të mëdha e të pariparueshme, gjatë këtyre muajve udhëheqësit kanë kompetenca tejet të kufizuara. Ajo që mund të them është se, nëse ndodhin zgjedhje të reja, numri i qytetarëve që do të marrin pjesë në votime do të jetë shumë më i ulët. Besimi se të zgjedhurit do të jenë në shërbim të shtetit dhe të atyre që i votuan do të jetë nën minimumin e pritur. Për më tepër, do të ringjallet bindja se të zgjedhurit do të shërbejnë për interesat e veta, të afërmve dhe grupeve të caktuara të interesit. Një situatë e tillë na ka shoqëruar për dy dekada dhe këtë nuk ia dëshiroj vendit tim,” tha ai për Gazetën Enigma.

Tutje, ai fajësoi partitë opozitare për bllokimin e konstituimit të Kuvendit.

“Mendoj se partitë opozitare, pa të drejtë, shkaktuan vonesa dhe krijuan një precedent të paparë deri më tani me rastin e mosvotimit të raportit lidhur me marrjen e mandatit të deputetit. Po ashtu, opozita, pa të drejtë, përpiqet ta kushtëzojë partinë fituese lidhur me votimin e kryetarit të Kuvendit. Opozita nuk mund të diktojë emrin që partia fituese propozon për krye të institucionit më të lartë ligjvënës, ashtu siç partia fituese nuk mund të zgjedhë se kë do të propozojnë partitë e tjera për nënkryetar apo kryetar të grupeve parlamentare. Nuk mund ta di qëllimin e saktë, por kjo situatë cenon rëndë besimin te organi më i lartë ligjvënës, brenda dhe jashtë Republikës,” përfundoi ai./ Gazeta Enigma

Related Articles