Partia Socialdemokrate ka mbajtur sot një aksion pranë ndërtesës “Rilindja”, ku ndodhet stafi i disa ministrive, raporton Gazeta Enigma.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, PSD’ja ka bërë me dije se aksioni është mbajtur për të kundështuar taksën prej pesë euro për tiketën ngjitëse, që vjen pas marrëveshjes së Ministrisë së Infrastukturës me kompaninë “Auto Control Kosova”.
“Pse po vendoset tiketa e 5 eurove? Për të formalizuar sa më shumë. Për t’i shtrënguar të gjithë që t’i regjistrojnë makinat. S’ka lidhje që kjo do të mund të bëhej falas ose me 90 centë maksimum. Problemi më i madh është dikund tjetër. Kush nuk i regjistron makinat? Rreth 30% e atyre që i posedojnë. Pse nuk i regjistrojnë? Sepse nuk kanë. Dhe jo rastësisht përqindja e mosregjistrimit të makinave, korespondon me përqindjen e varfërisë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e PSD’së.
Komunikata e plotë:
Mbi 2 milionë euro në vit një kompanie private. Pa konkurencë. Monopol. Çmim 5 fish më të shtrenjtë, 90% e të cilit është fitim për kompaninë. Kompani me 3 punëtorë. Arsyetimi? Skandaloz. E paska nisur qeveria e kaluar. Pra këta qenkan vetëm vazhdimësi, jo ndryshim. Këtë na e tha Hysen Durmishi dje. Këtë po e thotë Albin Kurti përditë.
Pse po vendoset tiketa e 5 eurove? Për të formalizuar sa më shumë. Për t’i shtrënguar të gjithë që t’i regjistrojnë makinat. S’ka lidhje që kjo do të mund të bëhej falas ose me 90 centë maksimum. Problemi më i madh është dikund tjetër. Kush nuk i regjistron makinat? Rreth 30% e atyre që i posedojnë. Pse nuk i regjistrojnë? Sepse nuk kanë. Dhe jo rastësisht përqindja e mosregjistrimit të makinave, korespondon me përqindjen e varfërisë në Kosovë.
Një qeveri projekti ekonomik e politik i të cilës është thjeshtë formalizimi i ekonomisë dhe sundimi i ligjit, vjelja e taksave dhe vendosja e rendit, është qeveri që i merr shumicës (së varfër) për t’i dhënë pakicës (së pasur). Sepse ligji është bërë për të pasurit. Sepse atyre u intereson që pabarazia të jetë sa më e formalizuar. Jo rastësisht edhe homologimi po u hiqet vetëm të pasurve. Atyre që blejnë makina të reja. Jo edhe atyre që kanë më pak, e që përgjithësisht blejnë makina të përdorura.
Si erdhën deri këtu? Duke hequr dorë nga lufta për barazi. Duke hequr dorë nga projekti i majtë i mirëqenies. Duke e braktisur përpjekjen progresive që u del në krah të shtypurve, të varfërve e të përjashtuarve. Keqpërdorimet, monopolet, jeta e pushimet luksoze, kapja e shtetit e nepotizmi… këto janë vetëm pasojat e kësaj zhvendosjeje konceptuale.