Kallëzimi penal i LDK-së ndaj Kurtit dhe ministrave në detyrë jetësohet – Nrecaj skeptik për bazën ligjore të shkeljeve eventuale

Kallëzimi penal i LDK-së ndaj Kurtit dhe ministrave në detyrë jetësohet – Nrecaj skeptik për bazën ligjore të shkeljeve eventuale

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar 17 kallëzime penale ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrave të tjerë në detyrë, duke i akuzuar për shkelje të dy ligjeve – një të Qeverisë dhe një të Kodit të Procedurës Penale, shkruan Gazeta Enigma.

Dorëzimi i kallëzimeve u bë nga dy deputetet e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica-Xhelili.

Në një prononcim për media pas dorëzimit të kallëzimeve, Bajrami tha se si LDK konsiderojnë dhe besojnë se nga data 27 mars, Kurti dhe ministrat në detyrë janë në kundërshtim me nenin 26 të Ligjit për Qeverinë, “ligj ky i hartuar dhe i miratuar nga votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Duke qenë se vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e ministrive, duke shfrytëzuar resurset, duke marrë vendime që kanë pasoja financiare dhe pasoja të tjera, këta deputetë kanë konsumuar vepër penale, e sanksionuar në nenin 414 të Kodit Penal. Këta kanë thënë se kanë dhënë dorëheqje, ndërkohë që vazhdojnë të shkojnë në zyrë dhe marrin vendime. Këto janë shkelje,” tha Bajrami në deklarimin e saj para mediave.

Bajrami, tashmë edhe shefe e grupit parlamentar të LDK-së, tha se zyrtarët ligjorë të kësaj partie, gjatë përgatitjes së këtyre kallëzimeve, kanë kërkuar qasje në dokumente nga disa ministri, prej të cilave disa ministra i kanë lëshuar dokumentet, ndërsa disa të tjerë jo, pa përmendur emra.

“Prej të dhënave që kemi marrë, ne sot iu jemi drejtuar Prokurorisë Speciale. Tani është në dorën e Prokurorisë që të kërkojë qasje në vendimet e tjera. Mirëpo, vetë mbledhjet, shfrytëzimi i resurseve, i zyrave, i veturave zyrtare – të gjitha këto janë në shkelje të nenit 26 të Ligjit për Qeverinë dhe nenit 414 të Kodit Penal,” u shpreh më tej Bajrami.

“Këta thjesht kanë mundur ta lënë detyrën te zëvendësit e tyre,” përfundoi ajo.

“Nuk do të kalojë ky kallëzim penal”

Ndërkohë, njohësi i çështjeve ligjore dhe avokati Anron Nrecaj, në një prononcim për Gazetën Enigma, tha se “LDK ka ngatërruar destinacionin”, pasi nuk ka bazë ligjore që të vërtetojë se ekzekutivi ka kryer shkelje.

“Ata nuk kanë bërë ndonjë krim. Ata janë në pozitën ‘në detyrë’, që do të thotë se janë në detyrë, por jo në postin në të cilin thirren. LDK e ka nisur gabim këtë, pasi është dashur të bëhet padi, jo kallëzim penal,” tha Nrecaj për Enigmën.

“Nuk besoj se do të kalojë ky kallëzim penal,” u shpreh ai.

Nrecaj tha se Kurti me ministrat në detyrë nuk e kanë keqpërdorur buxhetin apo detyrën zyrtare, “sepse në detyrë zyrtare janë si deputetë, por shkojnë në zyrë në cilësinë e personit në detyrë”.

“Ata nuk marrin as vendime; ata thjesht shkojnë në zyrë, në mënyrë që vendi të mos mbetet vakant, derisa të vijë në atë pozitë personi që zgjidhet nga kryeministri i ri.”

A po vazhdojnë të marrin rroga Kurti dhe ministrat në detyrë?

Një tjetër çështje që ka ngritur pikëpyetje është nëse Kurti dhe ministrat e tij në detyrë vazhdojnë të marrin rroga si anëtarë të kabinetit qeveritar, apo nëse tani kanë vetëm rrogën e deputetit.

Nrecaj tha se ata nuk mund të marrin rrogat si ministra, pas betimit si deputetë.

“Nëse ata i marrin rrogat edhe si ministra, kjo përbën vepër penale. Por, ata pagat tani i marrin si deputetë, pasi kanë dhënë betimin si deputetë. Në momentin që kanë dorëzuar dorëheqjet dhe kanë dhënë betimin si deputetë, ata nuk janë më zyrtarisht ministra apo kryeministër,” deklaroi ai.

“Ata nuk mund të emërojnë apo të shkarkojnë asnjë person për momentin, sepse nuk e kanë autorizimin apo bazën ligjore. Këtë tani mund ta bëjnë vetëm zëvendësministrat dhe zëvendëskryeministri.”

“Kryeministri dhe ministrat thirren në këtë pozitë vetëm në mënyrë figurative, pasi nuk kemi të tjerë të zgjedhur”.

Nrecaj tutje tha se këto kallëzime penale po bëhen vetëm për konsum politik.

“Prokuroria nuk besoj se do të ngrejë ndonjë aktakuzë”.

LDK: Kjo është një thirrje e qartë për përgjegjësi ligjore dhe integritet institucional

Pas dorëzimit të kallëzimeve, reagoi edhe vetë partia e LDK-së përmes një komunikate:

Related Articles