Lista “Guxo” të hënën njoftoi se aokati Gazmend Halilaj i është bashkuar partisë, raporton Gazeta Enigma.
Lajmin për aderimin e tij e dha ministri në detyrë, Faton Peci.
“Dera jonë, në Partinë Guxo, është gjithmonë e hapur për profesionistë, idealistë, patriotë, për njerëz t’mirë t’këtij vendi, prandaj jemi të lumtur që avokati i njohur nga Drenasi, Gazmend Halilaj, po na bashkangjitet në rrugën tonë për një Kosovë çdo herë më të mirë e më të përparuar”, thuhet në reagimin e Pecit.
Madje ai ka shkuar edhe më larg me lëvdata. “Zëri i guximtarit Halilaj i nevojitet drejtësisë, e drejtësia i nevojitet Kosovës”.
Halilaj, në vitin 2021 ishte shpallur fajtor për keqpërdorim seksual ndaj një të miture në rastin e Drenasit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë i pandehuri Gazmend Halilaj akuzohej për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”, nga neni 395 të KPRK-së
Për këtë ka reaguar organizata “Grazeta” e cila e ka marrë me shqetësim lajmin. “Përfshirja e tij në një subjekt politik dhe prezantimi si ‘profesionist’ nuk është thjesht mungesë e gjykimit etik – është përqafim i plotë i dhunës si pjesë e normales politike”, thuhet në reagimin e tyre.
“Në një vend ku gratë e dhunuara luftojnë për të dëshmuar, për të mbijetuar dhe për t’u besuar, burrat e dënuar rikthehen në qendër të skenës si të kishin ndonjë meritë. Kur një parti hap dyert për dhunues, mbyll gojën e viktimave”, thuhet tutje. / Gazeta Enigma.