Kosova drejt “llugës” së re – Propozohen dy palë zgjedhje, “topi” tek presidentja

Kosova drejt “llugës” së re – Propozohen dy palë zgjedhje, “topi” tek presidentja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbledhur sot në orën 14:00 përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të diskutuar caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, në një kohë kur vendi përballet me një ngërç politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, shkruan “Gazeta Enigma”.

Në takimin konsultativ ishin kryetari i PDK-së, Memi Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj nga Nisma, Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, Faton Peci nga Partia Guxo dhe përfaqësuesit e komuniteteve.

Lëvizja Vetëvendosje në këtë takim u përfaqësua nga nënkryetarja, Albulena Haxhiu dhe jo nga kryetari Albin Kurti. Takimi u bojkotua nga Lista Serbe.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka propozuar që këto zgjedhje të mbahen më 12 Tetor 2025.

“Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar Haradinaj.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se ka njoftuar presidenten dhe përfaqësuesit politikë se të gjitha datat për mbajtjen e zgjedhjeve lokale janë të pranueshme për të, megjithatë ka shprehur preferencën e tij për 12 ose 19 tetor.

“Unë e njoftova presidenten dhe të pranishmit se të gjitha datat janë të pranueshme. Por preferenca ime ishte 12 ose 19 tetor. Nuk ka shumë dallime te pjesa e datave të partive”, ka deklaruar ai.

Ai ka shprehur pritshmërinë që në ditët në vijim të dekretohet data për zgjedhjet, duke theksuar nevojën për një proces të rregullt dhe demokratik.

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se për datën e zgjedhjeve lokale është diskutuar edhe ideja që të mbahen dy palë zgjedhje.

“Ishte një ide që të vazhdojmë t’i shpallim të dyja edhe ato të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale. Qëndrimi jonë është për. Për ne është e rëndësishme që të konstatohet Kuvendi, të votohet qeveria por nëse sot ka qenë e 18-ta seancë që kur ka filluar votimi për Komision”.

Haxhiu tha se ideja ishte e saj, por tha se qëndrimi i Vetëvendosjes ishte “konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë”.

“Ideja ishte e imja. Unë isha shumë e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë. Por duhet konstituim dhe shpërndarje e Kuvendit e që për këtë duhet marrëveshje politike”, përfundoi ajo.

E për idenë e Vetëvendosjes që e shpalosi në këtë takim Albulena Haxhiu, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se megjithëse kjo s’është zgjedhja e parë mund të bëhet e domosdoshme për shkak të kryeneçësisë së partisë që doli e para nga zgjedhjet e shkurtit.

“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një procesi kushtetues edhe nëse nuk është zgjedhja e parë as e partive as e qytetarëve mund të bëhet e domosdoshme”.

Krasniqi ka kritikuar mungesën e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në këtë takim, duke shtuar se mungesa e tij dhe e kryetarit të Listës Srpska la një “shije të keqe’

“Nuk ishte aspak e mirë ishte fakti që nga të gjitha partitë e ftuara vetëm kryetari i Vetëvendosjes dhe ai i Listës Srpska munguan apo e bojkotuan këtë takim. Mendoj që një takim kaq i rëndësishëm që mbahet një herë në katër vjet do të duhej të ishte prioritet siç është për ne, pro në këtë rast duket se bojkotimin në takimin e presidentes e bën vetëm Albin Kurti dhe Zlatan Elek. Unë po pretendoj që ata e kanë bërë në marrëveshje, por vërtet lë një shije të keqe kjo mungesë”.

Për takimin, ka dalur me komunikatë edhe Presidenca.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e partive dhe se data e zgjedhjeve do të caktohet ditët në vijim.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në njoftim.

Analisti politik, Blerim Burjani, tha për Gazetën “Enigma” se mbajtja e dy palë zgjedhjeve në të njëjtën datë është zgjidhje plotësisht e saktë e kësaj rrëmuje.

“Zgjedhjet mund të kenë dy nivele në të njëjtën kohë, në vitin 2007 Kosova ka mbajtur dy palë zgjedhje, ato lokale dhe qendrore, mendoj se është shumë më pozitive dhe përfundimtare të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme edhe për nivelin qendror, të ndalet cirku, dhe zhvatja e buxhetit të Kosovës nga partitë pa kryer asnjë shërbim për qytetarët, ata e zgjidhin me marrëveshje çështjen e pagave me dhënien e betimit edhe këtë konstituim duhet ta zgjidhin si problem. Zgjidhje plotësisht e saktë e kësaj rrëmuje është zgjedhjet e jashtëzakonshme për nivelin qendror”, tha ai.

Burjani komentoi edhe mungesën e kreut të Listës Serbe në takimin konsultativ për zgjedhjet lokale.

“Pasojat do të jenë për pakicën serbe atje, pra ata si pakicë që jetojnë atje mund të dëmtojnë vetëm veten e tyre nëse i bojkotojnë zgjedhjet lokale, nëse ata i bojkotojnë do të kemi një gjendje si sot me kryetarë nga shumica shqiptare”, shtoi ai.

Më tej, ai tha se ngërçi politik që ka zënë vend në parlament, nuk do ishte problem i madh për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

“Nuk ka asnjë pengesë çështja e Kuvendit me zgjedhjet që do të mbahen ato lokale, pra zgjedhjet lokale nuk e ndikojnë asgjë çështjet e nivelit qendror të pushtetit, përveç pas zgjedhjeve në lokalitete mbetet problem aprovimi i buxhetit nacional ku ndikon interesat lokale dhe ndarjen e buxhetit të paprovuar nga Kuvendi, vetëm tre muaj mund të mos kenë probleme pas kësaj periudhe mbetet problem ndarja e buxhetit me ligj për buxhetin për komunat”, përfundoi Burjani. / Gazeta Enigma/

Related Articles