PDK në Drenas propozon Lladrovcin kandidat për kryetar komune

PDK në Drenas propozon Lladrovcin kandidat për kryetar komune

Partia Demokratike e Kosovës në Drenas e ka propozuar sërish Ramiz Lladrovcin si kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale, raporton Gazeta “Enigma”.

Lajmi u bë i ditur nga Lladrovi përmes një postimi në Faebook.

“Falënderoj Kryesinë e Degës së PDK-së në Drenas, për miratimin e propozimit për kandidaturën time për kryetar të komunës për zgjedhjet e 12 Tetorit. Votat për kandidaturën time ishin 42 për, një kundër dhe një abstenim. Pres nga Kryetari i PDK-së, miratimin e këtij propozimi të Degës e cila nuk njeh humbje nga çlirimi e këndej”, shkroi ai.

Lladrovci gjithashtu tha se uniteti i dëshmuar i Degës së PDK-së në zgjedhjet nacionale, pret që të përsëritet edhe në zgjedhjet lokale.

“Drenasi, dje bastion i UÇK-së dhe sot bastion i PDK-së, është i pathyeshëm në rrugën dhe vizionin e heronjve tanë të luftës dhe paqes, Hashimit, Kadriut, Jakupit.  Komuna e Drenasit është gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë në nivel nacional, sepse i ka edhe qytetarët më të mirë, degën e PDK-së me organizimin më të mirë, prandaj, mezi pres të vazhdojmë”.

“Besimi që mu dha është jo vetëm detyrë por edhe obligim në shërbim të qytetarëve të komunës së Drenasit”, shkroi tutje Lladrovci.

Related Articles