Në bibliotekën Fan S. Noli në qytetin e Gjilanit, studentët të cilët e frekuentojnë për proces të leximit, janë ankuar vazhdimisht se në hapësirat e bibliotekës po mbahen mbledhje dhe aktivitete të cilat po krijojnë zhurmë e që po u vështirësohet leximi, për çka edhe është funskioni i saj.
Një studente, E.F ka adresuar në redaksinë tonë ankesë lidhur me këtë gjë, pasi që nga Drejtoria e Kulturës në Gjilan, nuk është ndërmarrë asgjë.
“Vazhdimisht kemi kërkuar edhe nga drejtori i bibliotekës, edhe nga Drejtoria e Kulturës, ne si student që sidomos në periudhën e afatit të provimeve të mos mbahen mbledhje, aktivitete të tilla me një numër të madh tè njerëzve për shkak se po na vështirëson jashtëzakonisht shumë procesin e mësimit, por, ankesa jonë nuk është dëgjuar nga askush”, u shpreh ajo për Enigmën.
Ndërkohë, studentja deklaroi se “temperaturat brenda bibliotekës janë shumë të larta në këto ditë vere”.
Gazeta Enigma ka kontaktuar me Drejtorin e Kulturës Kushtrim Zeqirin, i cili tha se “Objekti i bibliotekës e ka prioriet studimin brenda hapësirave të saj, por, çdo aktivitet artistik që bëhet brenda saj e pasuron programin e bibliotekës, ku edhe vet studentët mund t’i ndjekin ato aktivitete”.
Edhe pse, studentja potencoi se “në bibliotekë teksa jemi duke mësuar për provime në fakultet, nuk kemi kohë të ndjekim çfarëdo aktiviteti që mbahet – por, ato vetëm janë pengesë për ne”.
Tutje, drejtori i Kulturës tha se “studentët duhet ta shohin si diçka pozitive e jo si pengesë”.
Pra, për ankesat e studentëve për zhurmë nga aktivitetet brenda bibliotekës, Zeqiri u shpreh se: Nuk iu pengon aq shumë./GazetaEnigma/