Bota në tranzicion, por Trump jep sinjale pozitive për Kosovën – Kërkohet të kapet momentumi

Bota në tranzicion, por Trump jep sinjale pozitive për Kosovën – Kërkohet të kapet momentumi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të dielën deklaroi se “do ta rregullojë sërish” çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ka bërë në mandatin e tij të parë, duke rikthyer kështu vëmendjen e SHBA-ve sërish kah Kosova, shkruan Gazeta Enigma. Vlerësohet se ky momentum duhet të kapet nga ekzekutivi, i cili aktualisht është me mandat të kufizuar përballë ngërçit institucional që e ka kapluar vendin.

Në një postim të publikuar të dielën në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi:

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër, siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt afatgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. E ndalova atë. (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish!)”

Në të njëjtin postim, Trump fliste gjithashtu për konfliktin mes Iranit dhe Izraelit, duke thënë se dy shtetet duhet të arrijnë një marrëveshje dhe se për këtë do të kujdesej vetë, siç kishte bërë me konfliktin disa-ditor mes Indisë dhe Pakistanit.

Shqetësuese: Barazimi i konflikteve të armatosura në botë me mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë

Edhe pse përmendja e Kosovës nga Trump po shihet si pozitive, shqetësues është barazimi që ai bën ndërmjet mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë me një konflikt të armatosur si ai mes Iranit dhe Izraelit.

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, tha për Gazetën Enigma se çështja mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e njëjtë me atë të Iranit dhe Izraelit.

“Ka qenë pak shqetësuese realisht ndërlidhja e rastit të shtetit tonë me krizat në Lindjen e Mesme. Ajo që ka deklaruar Trump është më shumë për konsum publik, qoftë nacional apo ndërkombëtar, sesa e bazuar në realitet. Nuk ka qenë në atë kohë Kosova në një krizë para shpërthimit. Prandaj nuk besoj që kjo qëndron. Por Trump, për të fituar mbështetje dhe për ta paraqitur veten si një lloj shpëtimtari, e ka thënë këtë”, theksoi Drenori.

Ai shtoi se nuk qëndron deklarata e Trumpit se Kosova ka qenë në prag lufte.

“Është fakt se konflikti ende është i ngrirë dhe ende nuk kemi një marrëveshje që do t’u mundësonte qytetarëve të jetonin të qetë – sidomos neve në Kosovë – por prapëseprapë, nuk është diçka që krahasohet me krizat ndërmjet Izraelit dhe Iranit.”

Sipas Drenorit, gjëja pozitive është që Trump është i vetëdijshëm se kjo është një çështje e pazgjidhur në Ballkanin Perëndimor, “dhe kur t’i vijë radha, besoj se do të merret me të.”

Sjellja e presidentit Trump ndaj krizave – sa e mirë, aq edhe e rrezikshme

Drenori thotë se Trump ka një qasje të ndryshme ndaj krizave, pasi shpesh i shtyn ose i detyron palët për të arritur një marrëveshje.

“Mënyra e sjelljes së presidentit Trump karshi krizave, sa ka të mira, ka edhe të këqija”, deklaroi ai.

Për këtë arsye, ai shpreson që Ministria e Jashtme e Kosovës të ketë depërtuar mjaftueshëm tek administrata e Trumpit për ta treguar realitetin.

“Sepse kur Trump t’i ftojë në Shtëpinë e Bardhë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, ai nuk do t’i lejojë të dalin prej andej pa një marrëveshje – dhe ajo marrëveshje, nëse nuk ofrohet paraprakisht me alternativa, mund të shkojë në drejtim të një marrëveshjeje të ndërmjetme. Për ne, çdo lëshim do të na kushtojë me sovranitetin e shtetit tonë”, paralajmëroi Drenori.

Kurti: Të bëhet trysni ndaj Beogradit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratës së Trumpit tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur, por që për t’u arritur kjo, duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023.

Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia tashmë kanë arritur një marrëveshje për normalizim, por që ajo po shkelet nga Beogradi. Ai gjithashtu përsëriti kërkesat e Kosovës për këtë proces:

“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona, është e domosdoshme që ata, pikësëpari, t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen Bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, të tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, ku ish-kryeministrja [serbe] Ana Bërnabiq ka thënë se nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës.”

Reagime nga deputetët

Edhe pse vetë nuk po arrijnë të zgjidhin krizën në Kuvend, kjo nuk po i ndalon deputetët që të komentojnë deklaratën e Trumpit për krizën me Serbinë.

Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje tha se deklarata e Trumpit po “keqpërdoret nga forcat e brendshme për qëllime politike”.

Ajo shtoi se deklarata i referohet marrëveshjes së arritur në Uashington për normalizim ekonomik dhe jo ngjarjeve aktuale.

“Jam e bindur se, me gjithçka që po ndodh në botë, ne si shtet apo si Ballkan kemi pak ose aspak vëmendje në agjendën e tij”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se i duket “absurde” që kjo deklaratë të përdoret për luftën e brendshme politike.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, që të reflektojnë dhe të sillen me përgjegjësi, duke theksuar se “bota po ndryshon çdo ditë”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nëse SHBA-ja paraqet një kërkesë të shpejtë për një qasje më proaktive ndaj një marrëveshjeje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë, mungesa e institucioneve të konsoliduara do ta dëmtojë rëndë pozitën e Kosovës.

Lutfi Haziri nga LDK tha se presidenti Trump do të ketë rol kritik në procesin e paqes dhe përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës.

“Duhet të bëhemi gati”, shtoi ai, duke kritikuar Marrëveshjen e Ohrit si të dëmshme.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se politikanët ende nuk e kanë “kuptuar qartë çfarë po ndodh përreth nesh dhe në botë”, dhe kërkoi formimin e institucioneve të reja.

“Kosova duhet të fillojë përgatitjet”

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, tha se deklarata e presidentit Trump nuk mund të merret si argument se ai do të fillojë të preokupohet shpejt me Kosovën e Serbinë, por sipas tij, është shumë e mundshme është që një ditë të ketë preokupim dhe angazhim edhe me këtë çështje.

“Prandaj Kosova duhet të fillojë të përgatitet për atë moment”, tha Krasniqi.

“Këto ai i përmendi në kontekst të sukseseve të veta dhe të dështimit të ish presidentit  Bajden. Ndërsa, parashikimi  i Trumpit se do te ketë prapë sukses në zgjidhjen e problemit ndërmjet Serbisë e Kosovës, mbetet të provohet në të ardhmen. Tash për tash nuk ka ndonjë plan, ndonjë agjendë të angazhimit të administratës Trump në këtë çështje”, deklaroi Krasniqi.

Shkrimi i tij i plotë:

Çfarë përmbante Marrëveshja e Uashingtonit?

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve nuk është nënshkruar nga palët, për shkak të refuzimit të Serbisë që të bëjë një gjë të tillë. Por, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se marrëveshja është obligative për palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar takim të dialogut në nivel të lartë politik. Së voni, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.

Më poshtë janë pikat e pë​rmbajtjes së​ marrë​veshjes së​ në​nshkruar nga pala kosovare:

Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.

Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.

Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:

-Autostradën e paqes

-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare

-Lidhjen hekurdhore Nish-Prishtinë

-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

-Projekte shtesë dypalëshe

-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare.

Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vtit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.

Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.

Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të pëërdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë.

Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.

Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me SHBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemet e siguruara nga SHBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.

Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.

Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë.

Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre.

Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.

Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.

Related Articles