Zëvendëspresidenti amerikan: SHBA nuk duhet të përfshihet drejtpërdrejt në Iran

Zëvendëspresidenti amerikan: SHBA nuk duhet të përfshihet drejtpërdrejt në Iran

Gjatë një telefonate të tensionuar me zyrtarë izraelitë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të përfshihen drejtpërdrejt në konfliktin me Iranin, raportoi agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burime nga Shtëpia e Bardhë.

Deklarata e Vance vjen pasi zyrtarë izraelitë kanë ngritur mundësinë e një sulmi të mundshëm në objektin bërthamor të Iranit në Fordow përpara se të përfundojë afati dyjavor i administratës Trump. Pikërisht kjo temë mendohet se ka sjellë përplasje në bisedën me përfaqësuesit amerikanë.

Në të njëjtën kohë, raportime të tjera konfirmojnë se SHBA ka vendosur 6 deri në 8 bombardues strategjikë B-2 në bazën ushtarake në Guam.

Edhe pse qëllimi zyrtar nuk është bërë publik, itinerari i fluturimeve dhe furnizimi me karburant në ajër mbi ishujt Hawaii ngrenë dyshime për një përgatitje të mundshme për veprim ushtarak, ndoshta të lidhur me Iranin.

Izraeli dyshohet se nuk ka kapacitetet e nevojshme për të goditur objektivin e thellë në Fordow, i cili ndodhet rreth 90 metra nën shkëmbinj, duke rritur mundësinë që të kërkohet ndihma e drejtpërdrejtë e SHBA-së në një operacion të tillë.

Related Articles